Policia e Shtetit ka refuzuar mbrëmjen e së dielës dhe orët e para të kësaj të hëne të lirojë 2 punonjës të fushës së turizmit në Vlorë, të cilët i shoqëroi në komisariat gjatë mbrëmjes.
Pas këtij refuzimi të efektivëve për t’i liruar punonjësit në fjalë, një reagim ka ardhur edhe nga Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë për Jugun, Vasil Bedinaj.
Ky i fundit i ka bërë thirrje policisë që t’i lirojë punonjësit, në të kundërt të gjithë qytetarët do të qëndrojnë para komisariatit. Gjithashtu, Bedinaj ka dënuar sjelljen e dhunshme të efektivëve në mes të Vlorës e në sy të turistëve.
Gjatë mbrëmjes të së dielës, Fax News ka mundur të sigurojë një video, ku policia e Vlorës shoqëron me forcë administratoren e një lokali në Lungomare, e cila nuk ka repektuar orën policore në biznesin që administron.
Më herët, forca të shumta policie kanë mbërritur në Lungomaren e Vlorës mbrëmjen e sotme me qëllim monitorimin e respektimit të orës policore nga ana e bizneseve. Disa prej pronarëve të bizneseve kanë refuzuar ta mbyllin aktivitetin e tyre dhe janë përplasur me efektivët, ku më pas janë shoqëruar forcërisht në komisariat.
Sipas biznesit në Vlorës këto forma arbitrare që po ndodhin nga policia për mbylljen me dhunë të aktivitetit janë me qëllim largimin e turistëve nga Vlora drejt rezorteve në jug të vendit.
Ata theksojnë se e gjithë kjo bëhet në mënyrë selektive me qëllim favorizimin e bizneseve të mëdhaja dhe rezorteve me pronarë afër qeverisë.
Përfaqësuesit e biznesit në Vlorë i janë drejtuar me një letër zyrtare dhe kryeministrit Rama dy ditë më parë, ku i kërkojnë të drejtën për të ushtruar aktivitetin biznesit deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës deri në orën 00:00.
Në dokument thuhej se nëse nuk do të kishte reagim deri ditën e sotme, të hënën do të kalohet më mbylljen totale të biznesit në Vlorë.