Policia e shtetit së fundmi ka njoftuar se do të jetë në gatishmëri të plotë për arrestimin e gjithë personave të shpallur në kërkim përfshi këtu edhe Balilin.
Ndërkohë për monitorimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit policia ka hartuar dhe miratuar një plan me detyra konkrete për të gjithë strukturat e policisë në nivel qendror dhe nivel vendor.
Masat e marra për tu zbatuar nga strukturat e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor synojnë:
– Rritjen e sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit duke shtuar numrin e patrullave të përgjithshme përgjatë 24 orëve.
– Marrjen e masave për krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët në të gjithë pikat e kalimit kufitar, duke shtuar numrin e sporteleve dhe të personelit policor.
– Përforcimin e masave për rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë akset kryesore rrugore të vendit, duke rritur numrin e patrullave të policisë rrugore, si duke patrulluar me Grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të rritur sigurinë në këto akse rrugore.
– Forcimin e bashkëpunimit me të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese në vend në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.
– Marrjen e masave për mbarëvajtjen e të gjithë aktiviteteve festive që do të zhvillohen nga institucionet e ndryshme shtetërore, organet e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera me rastin e festave të fundvitit.
– Marrjen e masave për sigurimin, grumbullimin, përpunimin dhe analizimin e informacioneve mbi çdo tendencë dhe aktivitet të mundshëm kriminal dhe terrorist, apo tendenca të tjera të mprehta kriminale që lidhen me zhvillimin e festave të fundvitit.
– Forcimin e masave për kontrollin ndaj personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore me qëllim parandalimin e kryerjes së ndonjë akti të mundshëm kriminal.
– Përforcimin e masave të sigurisë për ruajtjen e objekteve më të rëndësishme shtetërore, publike e private, nënstacionet elektrike apo te depove të ujit pijshëm.
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin me median dhe publikun në lidhje me:
– Informimin e publikut për masat e Policisë për sigurimin e rendit publik.
– Dhënien e këshillave qytetarëve me qëllim parandalimin e ngjarjeve me pasoja të rënda nga përdorimi pa kriter i fishekzjarrëve, për mënyrën e përdorimit të tyre duke kërkuar mos përdorimin nga të miturit apo përdorimi nën kontrollin e prindërve, etj.
– Kërkimin e ndihmës, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve në rastet e kufizimeve të përkohshme në disa prej akseve rrugore për shkak të zhvillimit të aktiviteteve masive kulturore e fetare.(MD/SHUPLAKA)