Policia australiane ka ndaluar një komplot terrorist i cili mund të shkaktonte një masakër në Melbourn ditën e Krishtlindjes. Ditën e sotme janë arrestuar tre meshkuj dhe akuzohen për terrorizëm. Ata i përkasin moshës nga 21-26 vjeç.
Sipas policisë australiane të dyshuarit do të përdornin eksplozivë dhe armë zjarri në sulmin e planifikuar. Për terroristët mes objektivave të tyre si pikë referimi ishte qyteti i Melbournit, si Katedralja e Shën Palit, sheshi i Federatës dhe stacioni qendror i trenave, shkruan Top Channel.
Fillimisht policia arrestoi 6 persona, me dyshimin se po përgatisnin një sulm terrorist, por 3 prej tyre, mes të cilëve një femër, u liruan më vonë. Tre të arrestuarit e tjerë janë identifikuar si Hamza Abbas, 21 vjeç; Ahmed Mohamed, 24 vjeç; si dhe Abdullah Chaarani, 26 vjeç. Për ta u dha masa e arrestit me burg dhe do të dalin në gjyq prillin e vitit të ardhshëm. Autoritetet thanë se të arrestuarit janë shtetas të lindur në Australi me prejardhje libaneze. Hetuesi thanë se ata ishin vetëradikalizuar nën ndikimin e propagandës së Shtetit Islamik. Operacioni i policisë u zhvillua në disa zona të Melbournit dhe në të morën pjesë mbi 400 oficerë policie. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post