Faxweb.al zbardh dëshmitë e banorëve të Himarës që u shoqëruan nga policia mbrëmjen e djeshme, pasi sipas prokurorisë së Vlorës, u janë premtuar para nga Fredi Beleri, në këmbim të votës.
Disa prej banorëve shprehen se nuk e njohin Belerin, ndërkohë që nxjerrin emrin e Niko Panajotit, se iu ka premtuar para kundrejt votës në 14 Maj.
Një prej banoreve akuzon policinë për sjellje çnjerëzore ndaj tyre, e madje pretendon se janë lënë me orë të tëra pa ujë, edhe pse janë në gjendje jo të mirë shëndetësore.
‘Unë ja thashë që nuk e njoh njeriun që më ka ofruar për të blerë votat, ne nuk kemi lekë që të kthehemi në Dhërmi. Lekë nuk na ka dhënë njeri, na premtuan për lekë ata nga Himara, unë i thashë që nuk dua lekë. 100 mijë lekë na tha për një votë, isha unë nusja dhe mamaja, ne nuk pranuam’, shprehet një qytetar.
“Na është premtuar se do marrim 200 mijë lekë nga Niko Panajoti, na thanë që të votonim për Belerin, na thanë që do ti merrnim lekët pas zgjedhjeve. Nuk më ka thënë vetë Fredi, më ka thënë Niko që ti jepja votën atij”.
“Më kanë marrë në orën 2 e gjysmë, ka përdorur policia një fjalor që nuk e di… Nuk na dhanë as ujë, kanë përdorur një fjalor të ndyrë. Na mori policia se pse do të votoni për PD-në. Kemi ardhur 20 vetë nga Himara, socialistët na kanë thënë që të votojmë për ta. PS ka kërkuar që të votojmë për ta”.
Policia e Vlorës lëshoi zyrtarisht urdhër arrest për Fredi Belerin, nën akuzën e shitblerjes së votave. Brenda 48-orëve kandidati për Bashkinë e Himarës, nga koalicioni Bashkë Fitojmë do të dalë përpara gjykatës për masë sigurie.
Më shumë gjasë në zgjedhjet e së dielës, ai vetë nuk do të ketë mundësi që të shprehë vullnetin, dhe as të kërkojë nga afër mbështetjen e qytetarëve.
“Është arrestuar duke premtuar dhe dhënë para në këmbim të votës”, thuhet në dokumentin e prokurorisë së Vlorës, ndërkohë që nuk bëhet me dije sasia e parave që është sekuestruar, duke iu referuar akuzës së ngritur.
Beleri u ndalua mbrëmë pas mesnate në shëtitoren e Himarës, pranë restorantit në pronësi të tij, teksa ishte në shoqërinë e 3 personave të tjerë, sipas prokurorisë duke bërë pazare votash. Arrestimi i tij ka sjellë një furtunë reagimesh në politikën vendase, por edhe në atë të shtetit fqinj. Greqia ka reaguar zyrtarisht përmes ministrisë së jashtme ku i kërkon sqarime palës shqiptare në lidhje me arrestimin e Belerit, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të së dielës.
(E.K/Faxweb.al)