Policia e Shtetit i ka refuzuar lejen Partisë Demokratike për të zhvilluar protestën e radhës para Parlamentit, pas kërkesës nga demokratët për zhvillimin e tubimit te radhës më datë 5 mars ora 10:00, ditë kur është parashikuar për t’u zhvilluar seanca e radhës.
Policia thekson se në protestën e fundit, PD ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar anëtarët e qeverisë dhe funksionarët e policisë për këtë arsye do t’i refuzohet leja për të zhvilluar këtë tubim. Letra është firmosur nga Drejtësi i Parë, Kastriot Skenderaj.
Argumentat e Policisë
– Dhuna fizike e përdorur dhe goditja e anëtarëve të qeverisë, deputetëve, me qëllim pengimin e tyre që të futeshin në godinën e Kuvendit të Shqipërie, për të zhvilluar seancë plenare.
-Dhuna dhe goditja e punonjësve të policisë gjatë përmbushjeve të përgjegjësive dhe kryerjes së detyrave ligjore, duke përdorur forcë fizike si dhe duke goditur me sende të ndryshme, si shkopinj prej druri, lëndë piroteknike, molotov, gurë, ku nga këto veprime u lënduan disa punonjës policie dhe tubues”.
Në zbatimi të germës ”a” të nenit 6 të Ligjit “Për tubimet”, të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj më datë 05.03.2019, ora 9:00 në vendin e përcaktuar në kërkesë.
Nga ana tjetër PD akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. PD deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.
“Në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës dhe nenin 5 të ligjit Nr.8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, ju njoftojmë se tubimi do të zhvillohet sipas njoftimit të bërë me shkresën tonë nr.31 Prot., datë 01.03.2019. Çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit sipas këtij njoftimi, në datën 5 mars 2019 dhe pasojave që mund të shkaktojë ky fakt gjatë ditës së tubimit është nën përgjegjësinë tuaj personale dhe institucionale. ju bëjmë, gjithashtu me dije se jeni në shkelje flagrante të ligjit dhe se tashmë duhet të kishit përmbushur përgjegjësinë tuaj për të na njoftuar urdhrin zyrtar për caktimin e oficerit të policisë që do të jetë përgjegjës për të ndihmuar zhvillimin e tubimit.
Për të gjitha sa më lart, njoftimi ynë, sipas detyrimit që parashikon neni 5 i ligjit nr.8773/2001, konsiderohet nga ky moment i përmbushur dhe tubimi do të realizohet më datë 5 mars 2019, në sheshin dhe vendkalimin publik: Rruga ‘George W.Bush’, Shëtitorja Murat Toptani’ (Pedonalja), lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi ‘Fan S.Noli’ dhe bulevardi ‘Zhan D’Ark’. Caktimi i vendit të tubimit, është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi”, thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të PD Gazment Bardhi.