Forca të shumta policie kanë mbërritur në Lungomaren e Vlorës me qëllim monitorimin e respektimit të orës policore nga ana e bizneseve. Disa prej pronarëve të bizneseve kanë refuzuar ta mbyllin aktivitetin e tyre dhe janë përplasur me efektivët. Burime bëjnë me dije se disa prej tyre janë shqëruar me forcë në komisariat.
Sipas bizneseve të Vlorës këto forma arbitrare që po ndodhin nga policia për mbylljen me dhunë të aktivitetit janë me qëllim largimin e turistëve nga Vlora drejt rezorteve në jug të vendit.
Ata theksojnë se e gjithë kjo bëhet në mënyrë selektive me qëllim favorizimin e bizneseve të mëdhaja dhe rezorteve me pronarë afër qeverisë.
Kujtojmë se biznesi i Vlorës i është drejtuar me një letër zyrtare kryeministrit Rama dy ditë më parë, ku i kërkoi të drejtën për të ushtruar aktivitetin biznesit deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës deri në orën 00:00.
Në dokument thuhej se nëse nuk do të kishte reagim deri ditën e sotme, të hënën do të kalohet më mbylljen totale të biznesit në Vlorë.