Superaksioni i policisë italiane ku sipas mediave janë arrestuar 26 persona pasi akuzohen edhe për trafikim heroine është një operacion që ka nisur që në vitin 2016, konkretisht në muajin maj.
Mësohet se hetimi nga autoritet italiane ka nisur në vitin 2016 ku janë sekuestruar nga polcia 38 kilogramë marijuanë dhe 7.4 kg heroinë e llojit “cobret”. Nga ky aksion policie u arrestuan 9 persona dhe iu sekuestrua edhe pasuria e grupit kriminal, e cila kap vlerën e gjysmë milion euro.
Për aksionin e sotëm Policia Shqiptare ka deklaruar se nga aksioni ndërkombëtar janë arrestuar 18 italianë dhe 3 shqiptarë, pra gjithsej 21 persona. Por sipas saj janë lëshuar 26 urdhërarreste, dhe 5 persona janë ende në kërkim nga polcia. Po kështu nga aksioni i fundit është kapur edhe 1 kilogramë heroinë.
DETAJE NGA POLICIA SHQIPTARE:
Gjatë orëve të para të mëngjesit është zhvilluar një operacion policor ndërkombëtar antidrogë në zonën e Napolit dhe Kazertas. Ky operacion ka bërë të mundur të shkatërrohet një organizatë kriminale Italo-Shqiptare dhe gjatë ditës së sotme janë lëshuar 26 urdhër arreste nga Prokuroria e Napolit.
Operacioni i koduar “SMOKE SNAKE” është kryer nga Guardia di Finanza e Marcianise dhe ka filluar në Qershor të vitit 2016. Që me nisjen e hetimit të këtij grupi deri në finalizimin e operacionit ka patur një shkëmbim në kohë reale informacionesh mes Policisë së Shtetit, Guardia di Finanza-s dhe Policisë Italiane nëpërmjet Zyrave Ndërlidhëse në Itali dhe Tiranë.
Nga viti 2016 janë sekuestruar 38 kg Marijuanë dhe 8 kilogramë Heroinë. 500 mijë euro pasuri: 2 apartamente, 1 autoveturë, 3 kompani, 65 llogari bankare 18.000 euro në Cash. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë ekzekutuar 21 urdhër arreste, për 21 shtetas; 18 Italianë dhe 3 Shqiptarë.
Shtetasi Shqiptar me iniciale L.C. vjeç 36 u arrestua sot gjatë operacionit, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më parë në flagrancë po në kuadër të këtij operacioni. E.N. vjeç 26 ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg. E.Sh vjeç 39 ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe një sasi Heroinë, rreth 1 kg në Napoli. Po gjatë operacionit janë sekuestruar edhe asete të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale që kalojnë gjysmë milioni euro. Organizata kriminale operonte në fushën e drogave të forta kryesisht të tipit Heroinë në zonën e Napolit dhe Kazertas. Operacioni është në vazhdim dhe për këtë arsye nuk mund të japim detaje të mëtejshme.
(J.V/Faxweb)