Politika shqiptare ka shprehur urimet e saj për të gjithë besimtarët e krishtere [ër festen e Pashkëve . Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë.
“Për shumë vjet Pashkët”, shkroi Rama.
Një mesazh ka ardhur edhe nga drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i cili shkruan se festa e Pashkëve janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.
“Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Le të frymëzohemi nga forca e besimit dhe të kemi shpresë se ndryshimi është i mundur – për veten, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë.”, shkruan Basha.
Një ditë më parë, edhe presidenti Bajram Begaj përcolli një mesazh urimi, teksa shkruante se “Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat.”
Kreu i PL, Ilir Meta uroi gjithashtu nga qelia, duke thënë se Pashka nuk është vetëm një festë, por dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.
Këtë vit, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë, jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët. Arsyeja qëndron tek kalendarët e ndryshëm që përdorin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse.