Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj po raporton sot para deputetëve, anëtarë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Sefaj në këtë komision ka raportuar për procesin e aplikimit të Kosovës në Interpol.
Ai ka folur për takimin e që ka pasur me sekretarin e përgjithshëm të Interpolit në Lion, Jürgen Stock.
Sipas tij, gjatë këtij takimi zyrtarët e Interpolit i kanë konfirmuar se Kosova nuk ka nevojë të riaplikojë për anëtarësim, vetëm se ajo duhet të futet në rendin e ditës të axhendës së saj.
Përpos kësaj, kërkesa e palës kosovare sipas tij ka qenë edhe heqja dhe eliminimi i emrave të personave të establishmentit politik të Kosovës nga lista e të kërkuarve të Interpol.
Sefaj tha në komision se dy ditë pasi janë kthyer nga ky takim ata edhe kanë marrë konfirmimin e Interpolit, se kanë aprovuar heqjen e këtyre emrave nga lista e Interpolit.
“Në pikën e dytë të rendit të ditës kemi pasur kërkesën që të bëhet edhe eliminimi dhe anulimi i emrave nga jeta politike të Kosovës dhe asaj shoqërore, të cilët ishin të kërkuar nga Interpol. Kemi kërkuar të eliminohen këta emra sepse kishim të bëjmë me kryeministrin por edhe me disa anëtarë tjerë të shoqërisë sonë. Kemi kërkuar të paktën të kemi një kohë të caktuar se kur do të bëhet kjo. Ata na kanë përsëritur se do të bëhet shumë shpejt. Dy ditë pasi jemi kthyer nga Lion ata na kanë kontaktuar drejtpërdrejt dhe na kanë treguar se është aprovuar anulimi i emrave nga lista e të kërkuarve.” – ka thënë Sefaj.
Discussion about this post