Ish-zyrtari i Partisë Progresive Serbe, tani kryetar i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë, Dragan Shormaz, ka deklaruar se sulmi në Banjskë u organizua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas tij, Vuçiç nuk ishte në dijeni se aksioni do të rezultonte në vrasjen e një polici dhe nuk priste që ngjarjet të zhvilloheshin në mënyrën tragjike që ndodhi.
“Gjithçka u organizua nga Aleksandër Vuçiç me mendimin se do të përfundonte me sukses, por përfundoi tragjikisht, me katër të vdekur, dhe pa suksesin për shkëputjen e katër komunave në veri të Kosovës”, tha Shormaz.
Duke folur në një konferencë për rolin e Rusisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, Shormaz theksoi se Republika e Kosovës ka vendosur plotësisht sovranitetin e saj në veri të vendit. Sipas tij, Rusia po ndihmon Vuçiç për ta fshehur këtë realitet nga qytetarët e Serbisë.