Sekretari Amerikan i Shtetit, Majk Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit ka falënderuar Shqipërinë dhe shqiptarët për mbështetjen që i ofruan hebrenjve.
Më tej Pompeo shtoi se duhet ngritur zëri kundër antisemitizmit dhe duhet gjetur mënyra për ta identifikuar dhe luftuar atë.
“Kam kënaqësinë të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA. Pas luftës dhe holokaustit ishte vendi që ofroi një ndihmë të rrallë për hebrenjtë. Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë, për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe iu dhatë edhe dokumente false për t’i shpëtuar. Nder për Shqipërinë dhe trashëgimin e tolerancën e saj. Ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmin.
Ne jemi këtu për të ngritur zërin kundër antisemitizmit. Së pari duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrat për ta luftuar. Duhet të ketë një fushë të barabartë për të gjitha shtetet. Kemi parë një përhapje të antisemitizmit dhe kjo është shqetësuese. Le të garantojmë sigurinë e çdo personi, që ne të jetojmë krah për krah. Ju falënderoj shumë për këtë punë të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Pompeo.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama përmes një lidhje me “Skype” u shpreh se shqiptarët kanë mbrojtur me jetën e tyre hebrenjtë që erdhën në Shqipëri.
Rama thekson se shqiptarët dhe të gjitha kombet duhet të luftojnë ekstremizmin, për të ardhmen e përbashkët të popujve.
“Unë përfaqësoj Shqipërinë, që është mishërim i mbrojtjes së hebrenjve dhe i luftës së ekstremizmit të dhunshëm, që ushqehet që urrejtja ndaj civilizimit hebre. Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë të bashkëjetesës. Shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si dritën e syve. Hebrenjtë u kthyen në Shqipëri në gur të çmuar, shabati ishte garantuar me të drejtë me ligj. Shqiptarët rrezikuan jetën për të mbrojtur hebrenjtë, ishin myslimanë dhe të krishterë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre.
Ka episode, ku dy vëllezër shqiptarë strehuan një familje hebreje dhe përfunduan në kampe përqendrimi, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë, që ata kërkonin. Edhe në të tashmen duhet ta luftojmë antisemitizmin, për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona. Ne inauguruam memorial dedikuar Holokaustit. Po punohet për një muze që do të nderojë komunitetin hebre e do të nderojë këtë miqësi, në të ashtuquajturën rruga hebreje”, deklaroi Rama.
Rama shtoi se antisemitizmi është një kërcënim real, që shkon përtej asaj që shënjestron.
“Të përpiqemi e ndërgjegjësojmë se antisemitizmi është një kërcënim real që shkon përtej asaj që shënjestron. Së fundmi Kuvendi miratoi rezolutën e hartuar nga Shoqata e Përkujtimit të Holokaustit, por pa dashur të marr më shumë kohë nga koha juaj e çmuar, dua të them se kërcënimi më i madh me të cilin duhet të përballemi e ta krahasojmë me diçka të përhershme, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vet më të dhunshme por është relativizmi, i asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqe mjaft të madhe nëse s’do jemi të bashkuar që ta shterojmë këtë burim.
Nuk ka dyshim që ka shumë shpresë në shoqërinë digjitale dhe një progres gjithëpërfshirës për njërezimin, që nuk duhet të kthehet në një makth të dalë jashtë kontrollit për asnjë nga ne. Dhe jam i bindur që Fuqitë e mëdha duhet të veprojnë para se të jetë vonë”, tha Rama.