Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë analizës së Agjencisë së Parqeve të Rekreacionit ka përshëndetur punën e APR-së për “operacionin gjigand të mbjelljes së pemëve dhe lirimin e hapësirave publike në Tiranë”. Një ditë përpara protestës së PD-së, Veliaj gjithashtu i bëri thirrje atyre që do të protestojnë të mos bëjnë pis kryeqytetin, por të sillen si njerëz të qytetëruar.
“I kam dhënë leje Partisë Demokratike të bëjë protestën, por vetëm një gjë i them: “Mos na bëni pis Tiranën”, protestoni si njerëz të qytetëruar, pa akte vandalizmi. Mos këpusni asnjë lule, mos shqyeni asnjë gur, dhe asgjë të kësaj natyre të shëmtuar. Është kapitull i mbyllur ai kur vijnë njerëzit me autobusë nga rrethet dhe shkatërrojnë Tiranën,” tha Veliaj.
Veliaj deklaroi se janë ndërtuar 9 kënde lojërash, por Bashkia ka në plan ndërtimin e shumë të tjerëve, ndërkohë që është planifikuar edhe ndërtimi i 10 km kushtuar korsive të biçikletave. (J.V/Shuplaka)