Turizmi është një ndër sektorët më problematik në vend.
Janë të shumta rastet e denoncuara në media, ku dëshmohet qartë se ky sektor nuk po funksionon siç duhet.
Faturat e kripura në restorantet dhe lokalet pranë bregdetit, në të shumtën e rasteve kanë bërë që vizitorëve që i frekuentojnë t’u ngecë ushqimi në fyt, pastaj mos të flasim për cilësinë e dobët të shërbimit.
Ashtu siç dihet gjerësisht, shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të lartë të turistëve që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet.
Së fundmi, një shqiptar i Kosovës ka treguar një rast të pazakontë abuzimi me çmimet në Durrës.
Sipas “Drenica Press“, ai së bashku me dy shokët e tij kishin shkuar në një lokal në Durrës për të ngrënë diçka, ku porositën doner kebab me mish viçi.
Por në momentin që iu erdhi fatura, ata mbetën të shtangur.
Ndonëse çmimi mesatar i një doneri të tillë nuk kushton më shumë se 2 ose 3 mijë lekë të vjetra, në faturë shënohej 60 mijë lekë të vjetra.
Qytetari nga Kosova është shprehur tepër i zhgënjyer, ndërsa thekson se pronari dhe punonjësit e kishin mendjen vetëm tek paratë.
‘’As që donin t’ja dinin, vetëm lekë kërkonin, pronari së bashku me punëtorët. Jemi të zhgënjyer nga ta.”
Një çmim i tillë për këtë produkt nuk është parë e dëgjuar më parë.
Nuk është hera e parë që shqiptarët e Kosovës ankohen për abuzime të tilla me çmimet, që pronarët dhe shitësit në Shqipëri bëjnë me ta.