Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime e Rënda për Ilir Karçinin, është ekzekutuar. Karçini është dënuar me 5 vjet burg, pasi akuzohet se porositi vrasjen e biznesmenit në fushën e gazit Piro Bare.
Biznesmeni Ilir Karçini u dënua nga gjykata, pasi financoi shumën prej 120 mijë eurosh për t’i bërë atentat me eksploziv Piro Bares, të cilin e kishte konkurrent në tregtinë e gazit të lëngshëm, shruan një portal online.
DETAJE:
Karçini, i cili është aksioner i një kompanie hidrokarburesh, u arrestua nga forcat e Drejtorisë së Policisë Tiranë, pasi Julian Sinanaj vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe rrëfeu aktivitetin kriminal. Ai përmendi emrin e biznesmenit si urdhërues i vrasjes së Piro Bares. Nga hetimet dhe referuar dëshmisë së Sinanajt, rezultoi se për vrasjen e biznesmenit Piro Bare, Sinanajt i ishin ofruar 120 mijë euro. Ai ka pohuar se shuma e parave i është ofruar nga Andon (Erjon) Mëhilli, i cili ndërmjetësonte urdhëruesit e krimeve me të dyshuarin si vrasës me pagesë. Nga dëshmia rezulton se biznesmeni Bare do të ekzekutohej më 25 janar 2014 dhe porositësi i krimit sipas Sinanajt është biznesmeni Karçini. Sinanaj u tha hetuesve se kishte bërë studimin e të gjitha lëvizjeve të biznesmenit, të cilin e kishte filmuar me qëllim që të mos ngatërronte shënjestrën. Madje, sipas prokurorisë, fotot e biznesmenit dhe të makinës janë gjetur në celularin dhe aparatin fotografik të Sinanajt.