Gazetarja e BOOM bisedoi me nënkryetarin e organizatës së menaxhim-peshkimit për mënyrën si funksionon kjo industri por edhe me problematikat që përballet ky sektor.
Dy janë shqetësimet me të cilat përballen peshkatarët, porti i ri i peshkimi nuk plotëson nevojat e tyre për shkak të konceptimit të gabuar në ndërtim, sikundër dhe markato e ndërtuar është një investim i çuar dëm.
Besim Troplini, nënkryetar i OMP, Durrës: Flota e peshkimit të Durrësit është një nga flotat më të rëndësishme. Ka mbi 100 anije, nga të cilat aktive janë mbi 80 anije. Nëpërmjet kësaj flote peshkimi sot siguron 2500-3000 ton peshk të freskët. Anijet dalin sipas autonomisë së lëvizjes që kanë dhe sipas gjatësisë, realizojnë një ditë qëndrime në det nga 3-4 sipas madhësisë, të kompletuara me të gjithë ciklin e ruajtjes së peshkut, me frigoriferët, makina e akullit dhe i bëhet një përpunim total në bord. Në tokë vjen një peshk i pastruar, i seleksionuar, i ndarë sipas specieve dhe është i gatshëm për treg. Nga ky moment, peshku shkon në pikat e grumbullimit të mëdha ose të vogla, të cilat pasi bëjnë peshimin e tyre, bëjnë dhe shpërndarjen për treg ose për eksport. Kemi dhe një sallë ku do të vendosim punëtorë të cilët do ti bëjnë një përpunim ose gjysëm përpunimi peshkut dhe pastaj do të bëjmë ngrirjen e tij.
Kjo është e reja sa i përket peshkut, kurse e reja sa i përket moluskëve është kjo. Ne për herë të parë në Shqipëri ndërtojmë një impiant operacioni, një impiant purifikimi. Për normativë dhe e detyruar dhe nga ana higjeno-sanitare, është që të gjithë moluskët që shiten në tregun shqiptar duhet të kalojnë nëpërmjet këtyre impianteve. Në këto 12 vaska do të vendoset prodhim, normativa është 5 ton prodhim i gjallë i cili duhet të rrijë brenda në ujë rreth 24 orë. Proçesi i nxjerrjes edhe të ngarkesës bakteriale që ka, edhe të rërës. Kur të hidhen në treg janë biologjikisht të pastër. Peshku i freskët në frigorifer kurse moluskët në vaska.Pasi përpunohen këtu, lihen të ushqehen, të mbahen në ujë të pastër përreth 24 orë do të bëhet paketimi dhe etiketimi.
Gazetarja: Mund të konsiderohet dhe pikë tregtimi shumice?
Besim Troplini: Patjetër.
Porti i ri i peshkimit, i parë në këndvështrimin e specialistëve ka mangësi dhe lë shumë për të dëshiruar.
Besim Troplini: Me portin është gabuar në sipërfaqen ujë-tokë. Përqindja e tokës që ne kemi mbrapa, sepse gjithë kjo sipërfaqe ishte det dhe u mbush. Është shumë e madhe dhe nuk shfrytëzohet. Ndërkohë që mund të shfrytëzohej po të ishte det. U gabua në këto bankina, të cilat nëpërmjet këtyre bankinave janë mbushur me gurë dhe këto gurë në vend që të bëheshin me beton dhe këtu të lidheshin anije, këto u mbushën me gurë, të cilët e kanë ulur kofiçentin e shfrytëzimit në minimum. Njëkohësisht muri përballë që është muri mbrojtës i portit është bërë me gurë nga ana e detit, portit, dhe kjo vështirëson punën e anijeve për tu lidhur dhe njëkohësisht pakëson numrin e anijeve që do të lidhen në një të ardhme. Ai mur po të bëhej me beton nga krahu i brendshëm i portit, do të shtonte shumë numrin e mjeteve. Këtu nuk mund të akomodohen më tepër se 50-55 anije. Edhe ato, me pak erë, ose det, kanë vështirësi për të kryer manovrat.
Gazetarja: Flota e peshkimit e Durrësit nga sa anije përbëhet?
Besim Troplini: Flota i kalon 100 anijet. Është flotë që është në zhvillim dhe në rritje.
Gazetarja: Është shqetësuese për ju fakti që këtu qëndrojnë dhe jahte?
Besim Troplini: Ne kemi protestuar si grup biznesi, janë futur, kanë gjetur qetësi dhe strehim këtu këto mjete që nuk i shërbejnë peshkimit. Këto janë thjesht mjete turistike.
BOOM pa nga afër markaton e peshkut në portin e ri të peshkimit në Durrës, por që vazhdon të zgjojë pakënaqësi tek grupet e interesit.
Sipas tyre ajo nuk plotëson asnjë kusht për markato peshku por është thjeshtë një pikë shitje me pakicë.
Besim Troplini: Kjo markatë të gjitha i ka por markatë nuk mund të quhet. U ndërtua pa praninë tonë, pa asistencën tonë, një projekt që kaloi në ish-drejtorinë e peshkimit të një viti më parë apo dy vjet më parë pa asnjë lloj konsulte. Brenda janë 17 frigoriferë të vegjël. Pra e tërë sipërfaqja është mbushur me 17 frigoriferë shumë të vegjël, 2.5 metra janë të gjerë. Nuk ka një lavaman, nuk ka një ambjent higjenik, nuk ka absolutisht një tregues që të plotësojë kërkesat e një markate. Markata në rradhë të parë ka një hyrje dhe një dalje. Janë norma, janë kushte të komitetit europian që të detyrojnë që prodhimi të futet nga një derë dhe do të dalë nga dera tjetër. Nga merkato e kanë bërë treg shitje me pakicë. Në Greqi e kanë bërë thjesht një shesh i pastër ku tregtarët që kryejnë shitjen kanë një zyrë të vogël 2 me 2, 3 me 3 dhe gjithë sipërfaqja tjetër është vend ku ekspozohet peshku. Tregtarët e shumicës hyjnë në formë ankandi. Ne nuk kemi kërkuar pikë shitje me pakicë. Kemi kërkuar ankand, bursë të peshkut siç e quajti dhe Kryeministri, një premtim që do ta bëjmë.
Lidhur me markaton e peshkut, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare thotë se dy janë mundësitë, ta ndërtojë Bashkia e Durrësit ose me PPP.
Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare: Alternativa më e shpejtë do të ishte që bashkia e Durrësit ta marrë përsipër dhe ta ndërtojë atë markatë. Një markato e ka koston 2.4 milion euro. Mendoni se nuk janë fondet për ta bërë një gjë të tillë? Me 2.4 milion euro bëhet markatoja me të gjitha parametrat, kushtet, standartet higjeno-sanitare të nevojshme, edhe me sistemin informatik, edhe me sistemin informatik, edhe me sistemin e ankandit online. Alternativa e dytë mund të jetë krijimi i një Partneriteti Publik Privat ku vetë peshkatarët mund të jenë palë e këtij Partneritetit Publik Privat. Dhe të jenë edhe menaxhuesit dhe përfituesit të veprimtarisë së kësaj merkatoje, nuk kemi nevojë të shpikim rrotën. Mjafton të shkojmë në disa markato në shtetin fqinj, Italinë dhe do të shohim alternative të caktuara. Dhe alternativa e tretë është pësëri PPP ku një privat mund të shpreë interesin për të investuar dhe për ta mbajtur natyrshëm përkundrejt të ardhurave të tij në formën e një koncesionari. Që në janar të 2014 ky sektor ka kaluar totalisht në varësinë e Bujqësisë dhe institucioni i vetëm publik, Ministria e vetme përgjegjësie për mbarëvajtjen e këtij sektori në të gjithë hallkat e tij nga varkat e peshkimit, porti, markatoja e peshkut, tregtimi i tij, siguria ushqimore është vetëm industria e Bujqësisë.
Por vetë kryebashkiaku i Durrësit Dako përjashton mundësinë e ndërtimit të markatos nga Bashkia.
Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako: Ata kanë kërkuar dhe fatmirësisht kanë ardhur në të njëjtin mendim që ne kemi pasur para disa vitesh që porti i peshkimit nuk është funksional për ta pavarësisht se janë harxhuar shumë para. Ne tashmë po shikojmë të gjithë mundësinë për të investuar dhe dua të theksoj që është një investim i qeverisë italiane për të gjithë ekonominë e detit. Dhe konkretisht një pjesë e këtyre fondeve mund të vinë për të rikuperuar situatën në këtë port të peshkimit, që do të thotë ndërtimin e një markate të re për peshkimin në atë zonë por nga ana tjetër mundësinë e zgjerimit të basenit për tu dhënë më tepër hapësirë anijeve, peshkarexhave për tu ankoruar. Bashkia nuk ndërton markatë për peshkun, duhet vetë investitorët privatë apo një koperim i përbashkët bashki-qeveri-investitorë që mund të realizojmë një markatë peshku. Unë do të isha dakord që të kishim iniciativa private për ndërtimin e markatave të peshkut. /Oranews/