Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë detaje nga procesi i votimit, dhe vlefshmëria apo pavlefshmëria që mund të kenë votat e hedhura nga qytetarët në datën 25 Prill. Celibashi tha se në çdo qendër votimi dhe në dhomat e fshehta, do të ketë postera dhe fletëpalosje me emrat e partive dhe kandidatëve, në rast se qytetarët do të kenë konfuzion.
“Në hyrjen e çdo qendre votimi ne do të vendosim postera të mëdhenj, me numrat e kandidatëve, si dhe në dhomat e fshehta të votimit, do të ketë fletëpalosje. Për tu kthyer të përgjigja e pyetjes, një votues mund të zgjedhi partinë ose koalicionin, dhe një kandidat dhe jo dy kandidatë të koalicionit, nuk mund të zgjedhë një parti apo koalicion, dhe kandidatin e partisë apo koalicionit tjetër.
Votuesi ka të drejtë që të zgjedhë vetëm partinë apo koalicionin, pasi mund të ketë votues që duan të votojnë partinë.
Është e vlefshme fleta e votimit, edhe në rast se ti ke zgjedhur vetëm kandidatin, por numërohet edhe si votë për partinë. Nuk mund të zgjedhës dy kandidatë, dhe nuk mund të zgjedhësh dy parti apo koalicione”, u shpreh Celibashi.