Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani u shpreh sot se Gjykata Kushtetuese nuk është e pavarur, për sa kohë që kërkon t’i miratohet buxheti nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjatë diskutimit të buxhetit të Gjykatës Kushtetuese në komisionin e Ligjeve, Dogjani u shpreh se ka ardhur koha që Gjykata Kushtetuese të propozojë një dispozitë ligjore ku të kërkojë që të ketë një buxhet të garantuar.
“A kemi sot një Gjykatë Kushtetuese të pavarur në vendimmarrjet e saj kushtetuese? Sot ne kemi moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi dhe institucione të tjera ligjzbatuese dhe kjo më bën të dyshoj që kemi një Gjykatë Kushtetuese nën presion politik dhe nën kërcënimin e politikës”, tha Dogjani. Sipas tij, “kohët e fundit nuk janë zbatuar vendimet e Kushtetueses”.
Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, Dogjani kërkoi të dinte se çfarë mekanizmi ka kjo gjykatë kur nuk zbatohen vendimet e saj.
“A ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta nga politika në lidhje me vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese? Fakti që ju kërkoni para do të thotë që ju jeni të varur nga Kuvendi. A ka në plan Gjykata Kushtetuese të kërkojë ndryshime në Kushtetutë ndonjë dispozitë të veçantë, që të ketë një fond të garantuar dhe ju mos të vini të kërkoni para te ne. Nga momenti që ju vini kërkoni buxhet jeni të varur nga Kuvendi. Këtu bie pavarësia e Gjykatës Kushtetuese”, tha Dogjani.