Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiçin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor në një seancë dëgjimore më 5 qershor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Vllajiç, gjithashtu, u deklarua fajtor për posedim të paligjshëm të armëve. Për këtë vepër ai u dënua me 6 muaj burgim, por e cila iu zëvendësua me një gjobë prej 1.000 eurosh.
Sipas aktakuzës, e cila u ngrit më 22 maj, Vllajiç veproi si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që kërcënonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Mes tjerash, në aktakuzë përmendet se ai regjistroi fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare në veri, dhe se mblodhi të dhëna për anëtarët e komunitetit serb të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Vllajiç, i cili u arrestua më 26 qershor 2024, ishte anëtar i Policisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar BIA-n për të komentuar rreth deklarimit të Vllajiçit dhe është duke pritur një përgjigje.
Në mars të këtij viti edhe një grua nga komuniteti serb në veri të Kosovës, me inicialet J.GJ, u arrestua për “spiunazh”.
Ajo ishte e punësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ndërsa mediat raportuan se ajo ishte “spiune” për BIA-n.
Agjencia Serbe e Informacionit dhe Sigurisë nuk ka komentuar për këtë çështje.
Institucionet serbe nuk kanë reaguar ndaj arrestimit të gruas me inicialet J.GJ, megjithëse deri më tani ka qenë praktikë që pas çdo arrestimi të serbëve në Kosovë, përfshirë ata për “terrorizëm” ose “minim të rendit kushtetues”, Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe ka bërë një njoftim. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, gjithashtu nuk e ka komentuar këtë zhvillim.
Më herët gjatë vitit, më 20 shkurt, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti gjithashtu një aktakuzë kundër dy individëve me inicialet B.SH dhe M.Q pas dyshimit për kryerjen e krimit të spiunazhit, dhe mediat në atë kohë deklaruan se ata ishin shqiptarë të Kosovës të lidhur me autoritetet serbe, përkatësisht Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.
Megjithatë, BIA mohoi çdo lidhje me këta persona të arrestuar në Kosovë, duke shtuar se kjo ishte një “përpjekje për të përhapur lajme të rreme” nga Prishtina.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse ndonjë i dyshuar shpallet fajtor.