Në një intervistë për Fax News, me gazetaren Sedjana Huna, dermatologia Oljeda Kaçani ka dhënë këshilla të rëndësishme mbi kujdesin e lëkurës gjatë pranverës, një periudhë kur ndryshimet klimatike dhe ekspozimi ndaj diellit mund të shkaktojnë probleme të ndryshme dermatologjike.
Sipas Kaçanit, është thelbësore të kemi një rutinë të rregullt kujdesi, ku përdorimi rigoroz i kremit të diellit zë vend kryesor. “Kremi i diellit duhet të jetë i lehtë dhe jo shumë i trashë, në mënyrë që të mbrojë lëkurën pa e rënduar atë,” tha ajo.
Dermatologia paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e skuqjeve, ekzemave dhe kruarjeve të forta, që mund të përkeqësohen nga ekspozimi në orët e pikut. “Nga ora 12:00 deri në 16:00 është mirë të shmangim rrezet e forta të diellit, pasi në këtë periudhë mund të shkaktohen dëmtime serioze në lëkurë,” shtoi ajo.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas Kaçanit, është hidratimi i vazhdueshëm i lëkurës, për të shmangur tharjen dhe dëmtimet e mundshme nga faktorët e jashtëm.
Ekspertja e dermatologjisë këshillon qytetarët të jenë të kujdesshëm me lëkurën e tyre gjatë pranverës, duke zgjedhur produkte cilësore për mbrojtje dhe kujdes të duhur.