Aksi Qafë Thore – Theth vijon të jetë i bllokuar nga dëbora pavarësisht se jemi në muajin prill dhe jemi futur zyrtarisht në stinën e pranverës.
Prej 10 ditësh ka nisur puna për zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, por vetëm me një mjet borëpastrues duket se më parë kjo rrugë do të hapet nga natyra, sesa nga ndërhyrja e mjeteve borëpastruese.
Në disa zona të caktuara të këtij segmenti ka ende mbi 1 metër e gjysëm borë, çka e vështirëson punën e mjetit borëpastrues i cili ndodhet atje prej 10 ditësh në tentativë për të zhbllokuar këtë segment rrugor.
Banorëve të zonës së Thethit i duhet të përdorin aksin tjetër për tu lidhur më Shkodrën, nga Mali i Shoshit, rrugë e cila përshkohet për më shumë se 6 orë për shkak të amortizimit dhe asnjë investimi prej vitesh.
Këta banorë prej disa vitesh bëjnë apel për rikonstruksionin e segmentit Bogë – Theth, por ende deri më sot nuk ka nisur puna për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor i cili shihet si zgjidhje për zhvillimin e zonës.