Një pjesë e artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve vazhdojnë të jenë stoik në qëndrimin e tyre për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, madje kërcënojnë se nëse qeveria nuk tërhiqet ata mund të ngujohen brenda godinës për ta mbrojtur.
Megjithatë duhet thënë se një pjesë prej tyre e braktisën kauzën për mbrojtjen e godinës dhe ranë dakord me Erion Veliajn se duhet një teatër i ri, duke shkaktuar jo pak debat në rrjet dhe “urime” për Veliajn që arriti ti përçajë artistët.
Por, kur kanë kaluar jo shumë kohë nga fotoja e famshme e kryebashkiakut të Tiranës më aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Altin Basha dhe dakordësia për prishjen e Teatrit Kombëtar mes tij dhe tre artistëve, kanë filluar të zbulohen dhe prapaskenat që çuan deri tek ajo “marrëveshje” dhe një tjetër emër që del në pah është ai i Gjergj Bojaxhiut.
Në këtë takim, sipas Altin Bashës në intervistën e dhënë për “Panoramën”, Gjergj Bojaxhiu në emër të Aleancës u kishte kërkuar tre artistëve që u takuan me Veliajn, që të shtonin në negociata edhe një pikë për konkurs ndërkombëtar për teatrin.
Sipas Bojaxhiut, që fliste në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, me këtë pikë kishin qenë dakord edhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Alert Çeloaliaj dhe regjisori Kastriot Çipi.
“Kemi dalë nga takimi me Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj”, thotë Alitin Basha ndër të tjera.
Por këtë pretendim e ka hedhur poshtë vetë regjizori Kastriot Çipi. Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ thotë Gjergj Bojaxhiu nuk ka marrë miratim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe i bën thirrje që të saqarojë pozicionin e tij.
Çipi deklaron se me deklaratën e Bojaxhiut është njohur kur takimi me Veliajn kishte një orë që kishte filluar.
“Me deklaratën e formuluar nga Gjergj Bojaxhiu, si propozim për t’u pranuar nga Aleanca, jam njohur më 27 qershor, ora 10.00, pra në kohën kur takimi me Veliajn kishte një orë që kishte filluar.
Në ora 10.48 i kam thënë Bojaxhiut se nuk jam dakord me propozimin e tij, sepse kërkesa thjesht për konkurs, pa specifikuar objektin e konkursit, linte të hapur shtegun për shembjen e dy teatrove kombëtare me alibinë e konkursit ndërkombëtar”, sqaron regjizori Çipi.
Postimi i plotë Kastriot Çipit:
Kolegu Altin Basha ka dhënë sot për gazetën Panorama një intervistë me titull “Ramë dakord, por Aleanca na tradhëtoi…”
Në intervistë ai shprehet se ka shkuar në takimin e shumë përfolur me Erion Veliaj si përfaqësues i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe se është mandatuar si i tillë nga një takim me pjesëmarrjen e nëntë artistëve, katër prej të cilëve anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE), në të cilin nuk mund të merrja pjesë pasi ndodhesha jashtë vendit.
Më tej, ai sqaron se pas këtij takimi, ka takuar Gjergj Bojaxhiun dhe ai i ka thënë se duhet të ngulë këmbë në kërkesën që, në ligjin special për shembjen e teatrove kombëtare, të përfshihej konkursi ndërkombëtar.
Të nesërmen, më 27 qershor, ndodhi takimi me Veliajn, i cili, sipas Bashës, ka zgjatur dy orë dhe… citoj: “Kemi dalë nga takimi me Erion Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj.”
Intervista është e gjatë dhe do të duhej një shkrim i gjatë për të sqaruar pikëpamjen time për gjithçka që thuhet në të. Këtë kam ndërmend ta bëj pak më vonë, pasi të shprehen edhe personazhet e tjerë të cituar në intervistë. Për momentin dua të sqaroj vetëm “telefonin e prishur” mes meje, Gjergj Bojaxhiut dhe Altin Bashës.
Ajo që unë di dhe mund të provoj me fotot nga ekrani të mesazheve, është se:
Me deklaratën e formuluar nga Gjergj Bojaxhiu, si propozim për t’u pranuar nga Aleanca, jam njohur më 27 qershor, ora 10.00, pra në kohën kur takimi me Veliajn kishte një orë që kishte filluar.
Në ora 10.48 i kam thënë Bojaxhiut se nuk jam dakord me propozimin e tij, sepse kërkesa thjesht për konkurs, pa specifikuar objektin e konkursit, linte të hapur shtegun për shembjen e dy teatrove kombëtare me alibinë e konkursit ndërkombëtar. Megjithatë, duke qenë partizan i demokracisë në çdo situatë, e hodha për diskutim propozimin e tij.
Në ora 12.40 e kam njoftuar Bojaxhiun se propozimi i tij nuk ishte pranuar jo vetëm nga anëtarët joartistë, por as nga artistët në kryesinë Aleancës.
Në ora 13.00 e kam njoftuar se kryesia e Aleancës ka miratuar versionin tim, ku shkuhej e zeza në të bardhë “konkurs ndërkombëtar për rikonstruksionin ose restaurimin e TK dhe TKE”, ndërkohë që konfirmohej se projekt-ligji thjesht nuk duhej miratuar.
Kjo deklaratë është bërë publike në faqen e Aleancës në Facebook, administratori i së cilës jam unë.
Ftoj publikisht Gjergj Bojaxhiun dhe të tjerët të shprehen për të sqaruar pozicionin e tyre në lidhje me versionin e historisë së treguar në intervistën e Altin Bashës.
(B.H/Faxweb)