Shkarkimi i befasishëm i kreut të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj vjen në një kohë kur procesi hetimor për dosjen Tahiri ka arritur në pikën “kulmore”.
Rastësi ose jo, ditën e djeshme Hajdarmataj mori në pyetje ish-shoferin e Tahirit, Gentian Ceka.
Një tjetër “rastësi” që përkon me shkarkimin e ish-kreut të Krimeve është dhe grabitja që spikati ditën e djeshme në Durrës.
Ditën e djeshme në qytetin bregdetar u grabit korrespondeca sekrete e Prokurorisë së Durrësit.
Dy persona të pa armatosur dhe të maskuar i morën postierit të prokurorisë një dosje me 6 çshtje hetimore.
Prokuroria ende nuk ka bërë publike përmbajtjen e dosjes së grabitur ndërkohë që në media është përfolur se në duart e postierit ndodheshin dokumente për ekstradimin e Nezar Seitit.
Nuk dihet ende nëse këto dy ngjarje lidhen me njëra-tjetrën dhe me lëvizjen e sotme të kryeprokurores Arta Marku, por vlen për t’u theksuar se edhe prokurorja e komanduar në vend të Hajdarmatajt është Donika Prela.
Që prej muajit Janar, Prela ishte drejtuese e prokurorisë së Durrësit.
Një detaj që nuk duhet anashkaluar është dhe ‘incidenti’ mes Markut dhe Hajdarmatajt.
Në 26 shkurt të këtij viti, Marku i hoqi makinën kreut të Krimeve të Rënda, pasi rezultonte si pronë e organit qendror të akuzës. Arsyet për këtë ngjarje ngelën të paqarta.
Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj lëvizte me një automjet tip “Benz” me targa AA 237 HT.
(F.G/Faxweb.al)