Preç Zogaj bën deklaratën e fortë lidhur me zgjedhjet, pas dështimit për të hyrë në parlamentin shqiptar si deputet i PD-së. Zogaj, kandidat i Lezhës thotë për gazetën ”Panorama” se një kambist i ka treguar se në 10 ditët e fundit të fushatës ka këmbyer 800 mijë euro. Një shumë kjo, të cilën kambisti e punonte në 2 vjet.
”Një kambist në Lezhë rrëfeu se kishte këmbyer në dhjetë ditët e fundit të fushatës tetëqind mijë euro, një shumë e barabartë, siç tha ai, me punën e dy viteve. Përveçse me lekë, vota u ble direkt edhe me euro.”, rrëfen Zogaj, duke hedhur dyshime të forta për blerjen e zgjedhjeve.
“Por ka një bindje të gjerë popullore se shitblerja masive e votës është shenja dalluese e zgjedhjeve të 25 qershorit. Me këtë shenjë, apo më saktë me këtë damkë, do të mbesin në historinë e zgjedhjeve më të shëmtuara e më të pista që vendi ka njohur. Përveç morisë së pafund të fakteve “të vogla”, këtë e provojnë edhe faktet e mëdha që nuk kanë nevojë të hetohen. Lumi i parave të drogës dhe korrupsionit që u përdorën për blerjen e votës në fushatën e këtij muaji tronditi kursin e këmbimit të euros, duke e zhvlerësuar atë kundrejt lekut më shumë sesa do ta kishte zhvlerësuar një sezon turistik shumë i suksesshëm.
Dy partitë e ish-koalicionit qeveritar, PS dhe LSI, vunë në shënjestër të fushatës së tyre zgjedhësit e ashtuquajtur vulnerabël, të kthyeshëm, të shitshëm, të varfër, të cilëve iu qepen natë e ditë për t’i lidhur në zinxhirin e votëblerjes. Kjo ishte në tërësi “fushata” në terren e pagatorëve, kujdestarëve dhe kapove zonalë të këtyre partive. Ata u përplasën disa herë për prenë, domethënë për zgjedhësit e piketuar për t’u blerë”, thotë Zogaj.
Edhe Petrit Vasili deklaroi ditën e djeshme në emisionin ”Opinion” se kursi i këmbimit të Euros është tronditur, duke dhënuar vlerat më të ulta gjatë këtyre viteve. ”Zbulojeni pse”, sugjeroi Vasili i LSI-së.(V.G/SHUPLAKA)
Discussion about this post