Tre predha artilerie janë zbuluar gjatë punimeve për zgjerimin e rrugës Blerimas-Delvinë, në zonën e quajtur “Mulliri i Bardhë”. Zbulimi u bë rreth orës 10:20 të datës 4 prill 2025 nga punonjësi i firmës “Cobial”, Maliq Llucaj, i cili po kryente punime për rikonstruksionin e rrugës.
Pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DVP Vlorë, në vendngjarje mbërriti Shefi i Postës së Policisë Delvinë, Serjan Toçaj, i cili verifikoi situatën dhe konfirmoi praninë e tre predhave të artilerisë. Për të shmangur çdo rrezik, zona u mor në ruajtje nga forcat e policisë, ndërsa punimet në këtë segment u ndërprenë menjëherë nga firma ndërtuese.
Prefekti i qarkut Vlorë ka kërkuar mbështetje nga forcat e specializuara xheniere për të kryer asgjësimin ose tërheqjen e predhave, me qëllim parandalimin e çdo ngjarjeje emergjente. Në pritje të ndërhyrjes së ekspertëve, zona mbetet e siguruar nga policia.