Në një kohë kur mijëra qytetarë janë në pritje të marrjes së dozës së dytë të vaksinës kineze pasi iu ka kaluar afati 1 mujor, kanë mbërritur në Rinas sot 60 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac.
Ishin ministrat Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj që pritën këtë sasi të vaksinave, dhe thanë se ditën e nesërme do të ketë një dërgesë tjetër nga kompania Pfizer.
Gjatë fjalës së saj ministrja Manastirliu tha se derimë tani kanë marrë të dyja dozat e vaksinës rreth 240 mijë qytetarë, ndërkohë që rreth 500 mijë të tjerë janë në pritje të dozës së dytë, prandaj dërgesa e 60 mijë dozave nuk është e mjaftueshme për të gjithë qytetarët.
“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac, të cilat janë pjesë e kontratës së dytë. 60 mijë doza që do të përdoren për të gjithë qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e parë, dhe duhet të vijojnë vaksinimin me dozën e dytë. Në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 830 mijë doza në total.
Deri ditën e djeshme janë vaksinuar rreth 712 mijë qytetarë, nga të cilët 240 mijë i kanë marrë të dyja dozat. Situata në vend është normalizuar, ka një ulje të rasteve aktive, kjo falë vaksinimit masiv që ka dhënë impaktin e vet. Është gjithmonë vendi për të treguar kujdes, jemi të fokusuar të arrijmë 1 milionë vaksinime në muajin qershor”, tha Manastirliu.
“Aeroporti “Nënë Tereza” – Sapo kanë mbërritur edhe 60 MIJË doza të vaksinës Sinovac, teksa presim të hënën sërish doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar pa u ndalur me planin tonë të vaksinimit masiv, për një sezon turistik, përtej pandemisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
(E.K/Faxweb.al)