Pak pasi Parlamenti e kaloi me shumicë votash, Presidenti Bajram Begaj ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit ligjin për “Inspektimin”.
Dekreti që mban datën 10 Tetor 2024, është futur tashmë në procedurë parlamentare për t’u shqyrtuar fillimisht në komision dhe më pas në seancë. Dhe kreu i shtetit i “tërheq veshin” Kuvendit, teksa thekson në argumentime se “ndryshimi i 68 neneve nuk i është nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit”.
Më tej Presidenti thekson se në këtë mënyrë ai është “një ligj të vetëm shkakton konfuzion, mbjell paqartësi dhe sjell pasiguri”.
“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në dekret.