Nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, zhvillohet në Tiranë Samiti i SEECP-së me pjesëmarrjen e liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Presidenti Begaj mikëpriti Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic; Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetaren e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Ky i fundit do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Samiti me temë: “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” synon që anëtarët aspirantë të BE-së, vendet e BE-së dhe partnerët të bashkëpunojnë duke reflektuar mbi progresin e kësaj platforme për të ecur përpara në të njëjtin drejtim në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Gjatë Kryesisë së radhës, Shqipëria u përqendrua në bashkëpunim dhe politika përmes lidhjeve më të forta ndër-rajonale, në rritjen ekonomike, sigurinë, në thellimin e bashkëpunimit në shumë sektorë, si: shëndetësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Shqipëria u angazhua fort për të siguruar që procesi të mbetej gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe me vizion.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ka dëshmuar se është një platformë e vlefshme për dialog, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbajtjen gjallë të vrullit të integrimit evropian.
Prioritetet kryesore të SEECP-së mbeten stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe reformat për bashkimin me unionin evropian.