Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku u prit me nderime të larta shtetërore në Podgoricë nga homologu i tij, Jakov Milatović. Takimi filloi me një ceremoninë shtetërore dhe u pasua nga një diskutim kokë më kokë mes dy liderëve. Më pas, bisedimet vazhduan me praninë e delegacioneve përkatëse, ku u trajtuan tema të ndryshme me rëndësi për të dy shtetet.
Gjatë takimit, krerët e dy shteteve fokusuam bisedimet kryesisht te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe përpjekjet e përbashkëta në rrugën Euroatlantike. U diskutua gjithashtu për situatën aktuale në rajon dhe për sfidat që po përballen dy vendet në lidhje me faktorët e tretë. Një tjetër temë e rëndësishme ishte roli i shqiptarëve në Malin e Zi dhe i minoritetit malazez në Shqipëri, duke u theksuar nevoja për ruajtjen dhe përmirësimin e të drejtave të këtyre grupeve.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi u vlerësuan si shumë të mira dhe miqësore, dhe u konfirmua angazhimi i dy shteteve për të forcuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht në politikë dhe ekonomi. Dy presidentët theksuan se si anëtarë të NATO-s dhe si shtete që po negociojnë me Bashkimin Evropian, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një interes të përbashkët në avancimin e integrimit të rajonit dhe në ndihmën që mund të japin njëri-tjetrit për të përballuar sfidat e ardhshme.
Është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie shumë të mira politike, por akoma më e rëndësishme është të kemi bashkëpunim ekonomik për të rritur mirëqenien e popujve tanë. Është shumë me rëndësi për vendet tona, është me rëndësi për rajonin dhe për vetë Bashkimin Evropian”.
Një bashkëpunim i tillë duhet të përfshijë të gjitha vendet e rajonit, – vlerësoi Presidenti i Republikës, i cili theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë konstruktiv, dinamik dhe proaktiv, me orientimin e qartë, pavarësisht sfidave: “Perspektiva Euroatlantike është e vetmja perspektivë që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo qasje tjetër do të bënte që mosmarrëveshjet dypalëshe, nacionalizmat folklorike dhe ndikimet e faktorëve të tretë të fitonin më shumë terren. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe faktori shqiptar, – theksoi Presidenti i Republikës, i cili rikonfirmoi përkushtimin për të qenë pjesë e plotë e Bashkimit Evropian: “Kemi realizuar deri tani 2 takime ndërqeveritare dhe hapjen e disa kapitujve, duke shpresuar që brenda vitit 2025 të hapen gjithë kapitujt e negocimit me Bashkimin Evropian.
Po kështu, shpresojmë dhe besojmë që Shqipëria, brenda harkut kohor të kësaj dekade, të meritojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pavarësisht se anëtarësimi kërkon kohën e vet, për ne me shumë rëndësi ka procesi, proces i cili po transformon shoqërinë tonë, qeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë”.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Begaj i shprehu homologut Milatović mbështetjen e vazhdueshme të Malit të Zi ndaj Kosovës në përpjekjet e saj për integrimin rajonal dhe ndërkombëtar.
“Kosova duhet të vazhdojë me shumë energji dhe dinamizëm procesin e konfirmimit e saj të plotë ndërkombëtar, të integrimit në organizatat rajonale e ndërkombëtare, të avancimit të kërkesës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të bashkëpunimit institucional me NATO-n, me synim anëtarësimin e saj për të qenë anëtare e NATO-s, dhe të forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, – u shpreh Presidenti i Republikës, i cili i bëri thirrje liderëve politikë të Prishtinës të krijojnë sa më shpejt qeverinë e re për përmbushjen e këtyre objektivave. Kreu i Shtetit përgëzoi qytetarët e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe të rregullta.