Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e IV Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (FFD4), e cila po zhvillohet në Sevilja të Spanjës, me pjesëmarrjen e liderëve nga mbarë bota.
Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të konferencës, Presidenti Begaj theksoi angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe ndau me të pranishmit vizionin e vendit për rolin kyç që ka financimi i zhvillimit në garantimin e një ekonomie të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për qytetarët.
“Financimi për zhvillim të qëndrueshëm duhet të ketë në qendër mirëqenien e njerëzve. Politikat ekonomike dhe drejtësia sociale janë të pandara”, – theksoi Presidenti.
Ai përmendi reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fusha si arsimimi dhe fuqizimi i të rinjve, zgjerimi i mbrojtjes sociale, përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe arsimor, si edhe investimet strategjike në infrastrukturën digjitale dhe energjinë e rinovueshme.
Presidenti Begaj vuri në dukje se procesi i financimit për zhvillim nuk është vetëm një çështje teknike, por kërkon qasje të përbashkëta, bashkëpunim ndërkombëtar dhe një sistem financiar global të reformuar.
“Shqipëria i bashkohet zërave për një arkitekturë financiare globale më përfaqësuese, më gjithëpërfshirëse dhe më të aftë për të përballuar sfidat e kohës,” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Duke u ndalur te konteksti rajonal, Presidenti nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, si një faktor kyç për zhvillimin dhe përthithjen e investimeve. Ai theksoi angazhimin e Shqipërisë në nisma rajonale që synojnë forcimin e tregtisë, përmirësimin e infrastrukturës ndërkufitare dhe ndarjen e dijes mes vendeve fqinje.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një përparësi strategjike për Shqipërinë”, – theksoi Presidenti Begaj.
Në përfundim, ai rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere aktive dhe konstruktive në komunitetin global të zhvillimit, duke besuar në fuqinë e bashkëpunimit, rëndësinë e multilateralizmit dhe në të drejtën e çdo qytetari për të jetuar me dinjitet.
Gjatë qëndrimit në Sevilja, Presidenti zhvilloi takime me Mbretin e Spanjës, Kryeministrin spanjoll, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, si dhe me liderë të tjerë shtetërorë pjesëmarrës në konferencë.