Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar Komandantin e Komandës Supreme të Aleancës për Transformimin, Admiral Pierre Vandier.
Kreu i Shtetit e përgëzoi Admiralin Vandier për lidershipin, angazhimin, vizionin dhe profesionalizmin e treguar në drejtimin e kësaj strukture kyçe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Takimi vjen gati një muaj pas mbajtjes së Samitit të NATO-s në Hagë, të cilin Presidenti Begaj e vlerësoi si një moment historik për të ardhmen e Aleancës, duke theksuar se garanton një NATO më të fortë, më të bashkuar dhe më kohezive.
Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e vendimeve të Samitit të Hagës, përfshirë rritjen graduale të buxhetit të mbrojtjes deri në vitin 2035, si dhe përkushtimin për të garantuar kapacitetet e nevojshme për NATO-n.
Në vijim të bisedës, Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu roli strategjik të misioneve të NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, duke theksuar rëndësinë e prezencës së tyre në rajon.
“Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor, jo vetëm për rajonin, por edhe për mbarë Evropën”, – u shpreh Presidenti.
Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj ritheksoi rëndësinë e Komandës Supreme për Transformimin, si një strukturë jetike për modernizimin dhe përshtatjen e NATO-s ndaj kërcënimeve aktuale dhe sfidave të së ardhmes.