Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në ambientet e Institucionit të Presidentit pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Ky kurs përfshin ushtarakë nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të vendeve partnere si Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, si dhe përfaqësues nga institucionet e sigurisë kombëtare.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi lart rëndësinë e këtij kursi përtej dimensionit akademik, duke theksuar kontributin që jep në forcimin e bashkëpunimit mes ushtarakëve të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere. “Ky është një shembull i qartë i ndërtimit të urave ndërmjet kombeve që ndajnë vlera të përbashkëta të paqes dhe sigurisë,” u shpreh Presidenti.
Duke iu referuar sfidave gjeopolitike dhe dinamikave të sigurisë globale, Kreu i Shtetit nënvizoi domosdoshmërinë për rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes. “Institucionet shqiptare janë të angazhuara të rrisin më tej shpenzimet për mbrojtjen, duke e konsideruar atë si një përparësi kombëtare,” tha ai.
Presidenti Begaj foli gjithashtu mbi politikat e jashtme të Shqipërisë, të cilat mbështeten në bashkëpunim rajonal, marrëdhënie dypalëshe e shumëpalëshe dhe në ndërtimin e miqësive. “Ndërtimi i urave, e jo i mureve, është në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë, e cila është plotësisht e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian,” theksoi ai.
Në bashkëbisedim me kursantët, Presidenti i Republikës iu përgjigj interesimeve të tyre mbi sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi se agresioni rus në Ukrainë ka rizgjuar vëmendjen e Evropës ndaj rëndësisë strategjike të Ballkanit.
“Vendet tona përballen me sfida të përbashkëta: forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe përshtatjen me agjendën e gjelbër. Për të qenë të suksesshëm në këto fusha, duhet të veprojmë së bashku, në unitet dhe solidaritet,” deklaroi Presidenti Begaj.
Gjatë takimit, këshilltarët e Presidentit prezantuan para pjesëmarrësve funksionin e Institucionit të Presidentit në një republikë parlamentare, si dhe rolin e Kreut të Shtetit si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.