Tiranë, 13 maj 2025 – Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim pjesëmarrësit e programit LEAD Albania dhe drejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), organizatë që ka hartuar këtë program lidershipi për Shqipërinë.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e AADF dhe mbështetjen amerikane në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe udhëheqëse të të rinjve shqiptarë. Ai e cilësoi programin LEAD Albania si një mundësi të vyer për profesionistët shqiptarë që synojnë të kontribuojnë në administratën publike dhe institucionet vendimmarrëse.
“Shqipëria ka shumë nevojë për profesionistë si ju”, u shpreh Presidenti Begaj, teksa u njoh me përvojat e bursistëve në institucione shqiptare dhe me përgatitjen e tyre në universitete ndërkombëtare.
Presidenti inkurajoi pjesëmarrësit e programit të përdorin dijen dhe përvojën e fituar në shërbim të vendit, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë dhe përkushtimit në karrierën profesionale. “E ardhmja e vendit është në duart e të rinjve”, theksoi ai, duke ndarë me ta edhe disa prej sfidave dhe angazhimeve që përballet në detyrën si Kryetar Shteti.