Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj, ka përcjellë sot një mesazh urimi me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ditë historike për aleatët dhe miqtë e Shqipërisë.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në platformën X, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për mbështetjen dhe miqësinë e palëkundur të SHBA-së ndër vite, si dhe angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Gëzuar 4 Korrikun!
Në këtë ditë feste për miqtë dhe aleatët tanë amerikanë, Shqipëria shpreh mirënjohjen më të thellë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë globale, duke shpresuar në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy kombeve tona të mrekullueshme.”
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar ndër dekada një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme, të bazuar në respekt të ndërsjellë, mbështetje strategjike dhe vizion të përbashkët për një të ardhme më të sigurt e më demokratike në rajon dhe më gjerë.