Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka 10 ditë afat për të dhënë mandatin ndaj koalicionit që do të formojë qeverinë e re. Ndërkohë, pa shqiptarët në shtetin fqinj nuk formohet dot kabineti qeveritar, dhe shqiptarët në fakt janë të përçarë, dhe për të ‘sunduar’, Zooran Zaev vetëm sa po i nxit mosmarrveshjet mes tyre.
Ali Ahmeti ka bërë fushatë duke marrë 15 mandate deputetësh me sloganin për kryeministrin e parë shqiptar, ndërsa për maqedonasit kjo do të ishte një traumë e madhe.
Por që të ketë shpresë për diçka të tillë, shqiptarët së paku duhet të jenë të bashkuar, çfarë nuk po ndodh, e për këtë Zaev i ka thirrur një nga një liderët e partive shqiptare për t’u konsultuar dhe gjetur konsensus që ai ta formojë qeverinë, transmeton Faxëeb.al.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të thirret pas përmbushjes së afatit Kushtetues për besimin e mandatit. Përbërja e re duhet caktuar për formatin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nga i cili duhet të propozohet emri i kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, ndërsa institucioni i parë, për shkak të numrave që nuk janë gjetur vijon të drejtohet nga Talat Xhaferri. Kryeparlamentari do të varet nga marrëveshja politike, ndërsa 5 nënkryetarët do t’i ndahen tre shumicës dhe dy opozitës.
Teksa Ali Ahmeti nuk ka bërë pas nga premtimi në fushatë, Lëvizja Besa nuk përjashton mundësinë për formimin e grupit të ndarë parlamentar nga LSDM-ja, me qëllim përfaqësimin në trupat punues. Për këtë do t’i duhet edhe një deputet, pasi në zgjedhjet e 15 korrikut si rezultat i listave të përbashkëta me koalicionin “Mundemi”, Besa siguroi 4 mandate.
Nga sot nis rrjedhja e afateve për ndarjen e mandatit. Për dallim nga praktikat e mëparshme, kësaj here presidenti Stevo Pendarovski ka deklaruar se mandati do t’i besohet partive të cilat sigurojnë 61 nënshkrime, me qëllim shmangien e situatave si në vitin 2016 kur partia fituese mori mandatin pa pasur shumicë të siguruar në Kuvend. Ekspertët thonë se në situatë të tillë, Presidenti mund të pres deri në 15 ditë për njoftimin se është siguruar shumica, pasi kushtetua i referohet “partive që kanë siguruar shumicë në Kuvend”, transmeton Alsat.
Zoran Zaev, si drejtuesi i partisë së parë në zgjedhje, po vijon taktikën e tij për të nervozuar dhe ç’faktorizuar partinë më të madhe shqiptare, BDI-në e Ali Ahmetit. Zoran Zaev është takuar sot me thuajse të gjithë partitë shqiptare, duke shpërndarë një foto ku shfaqet i qeshur me kreun e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, ç’ka po komentohet si një “shkelje syri” ndaj këtij të fundit.
BDI ka kërkuar se do të kërkojë kryeministrin shqiptar nga LDM-ja, por Zaev ka deklaruar që Ahmetit as nuk duhet t’i shkojë ndërmend ky opsion. Nga ana tjetër, Zaev, ka bërë të ditur se ai planifikon një qeveri me stabilitet më të madh, që do të thotë se mund të marrë jo thjesht BDI-në në koalicion me të cilën arrin 61 vota, por edhe Selën, e cila ka 12 deputetë.
Mes akuzave e kundërakuzave, si ajo se Zaev ka nisur blerjen e mandateve me numra gjashtë shifror, apo hedhjen poshtë nga ai opsionin se shqiptarët nuk mund ta qeverisin Maqedoninë, si shpesh ka ndodhur, kun ka për të qenë e thjeshtë gjetja e një rruge të shpejtë për t’ju dhënë qytetarëve qeverisjen e vendit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)