Presidenti i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha ishte i ftuar në studion e ljameve të Fax News ku foli për ndikimin qe ka në ekonominë e vendit situata e tensionuar politike që po kalon Shqipëria.
Sipas Hoxhës, politika në tërësi po transmeton një klimë negative ndaj biznesit dhe investitorëve.
Ai argumentoi se duhet të ftohen ata që kanë dhenë kontribute reale në këtë vend dhe të dalin në arenën e duhur për ti thënë kësaj lloj politike ndal.
“Ka edhe brenda politikës shqiptare njerëz të tillë, në të dy krahët por janë lënë në heshtje. Politikanët në këtë vend duket sikur po luftojnë për interest e tyre personale dhe interesat kombëtare shihen nga ata si secondare. Thjeshtë në këtë vend duhet të vendoset drejtësia, qetësia dhe rregulli”.
Hoxha foli edhe për ecurinë e Reformës në Drejtësi, impaktit të saj në jetën e qytetarëve dhe problematikave që ka hasur gjatë rrugës së implementimit të saj.
“Sa i përket Reformës në Drejtësi ka pasur një zgjatje shumë të madhe. Kostot e Reformës janë të mëdha sepse kemi pafundësisht çështje që presin. Duhej patjetër që jo vetëm të ishin njerëzit e filtruar për këtë system por edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhej të ishte më i lartë sepse ka mbingarkesë dosjesh. Pasojë e mos zbatimit të saj apo përdorimit për konsum politik është frenimi i zhvillimit të vendit. Efekti është jo vetëm psikologjik por edhe real sepse nuk është dhënë drejtësia. Patjetër që nuk duhej të kishte ndodhur kjo gjë e cila nuk dihet as se sa do të zgjas. Edhe sikur drejtësia të nisë që të funksionojë nesër, duhet pafundësisht kohë që të hetohen dosjet e grumbulluara”.
Hoxha deklaroi se edhe në institucionet e reja të drejtësisë ka ndërhyrje të politikës. “Fatkeqësisht politika ka ndërhyrë edhe në institucionet e reja të reformuara. Pyetja që shtron një investitor është: a jemi në gjendje të investojmë në një vend të tillë dhe natyrisht përgjigja është se nuk jemi në gjendje”.
Duke i trajtuar bujqësinë dhe turizmin si dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, Hoxha tha:
“Bujqësia dhe turizmi janë dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë që duhet të mbështeten. Bilanci i eksporteve vetëm në 12 muaj është përgjysmuar, kjo është një situatë e papranueshme.
Protestat janë të pranueshme në gjithë botën demokratike por kur ato vazhdojnë pafund, duhet të rishikohet qeverisja, kur shikon dhjetra mijëra qytetarë në rrugë diçka po ndodh dhe kjo ndikon në ekonomi e sidomos në sektorin e turizmit i cili është shumë i rëndësishëm për vendin”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)