Presidenti i Egjiptit Abdel-Fattah el-Sissi do t’i anashkalojë bisedimet në Shtëpinë e Bardhë nëse axhenda e presidentit amerikan Donald Trump përfshin plane për të zhvendosur palestinezët nga Gaza, thanë të mërkurën dy burime egjiptiane të sigurisë.
Në një telefonatë mes Trump dhe el-Sissi më 1 shkurt, presidenti amerikan i bëri një ftesë të hapur homologut të tij egjiptian për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, tha më parë presidenca egjiptiane. Asnjë datë nuk është caktuar për ndonjë vizitë të tillë, tha një zyrtar amerikan.
Trump ka zemëruar botën arabe me një plan për të zhvendosur përgjithmonë popullsinë prej më shumë se 2 milionë palestinezësh nga Rripi i Gazës, për të pretenduar kontrollin amerikan mbi Gazën dhe për ta kthyer atë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Ai ka kërkuar që Egjipti dhe Jordania të pranojnë palestinezët që do të dëboheshin.
Po ashtu ai diskutoi planin gjatë një vizite të mbretit jordanez Abdullah në Shtëpinë e Bardhë të martën. Egjipti, një nga përfituesit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake amerikane, ndan një kufi me Rripin e Gazës. Sisi ka thënë vazhdimisht se Egjipti nuk do të marrë pjesë kurrë në një zhvendosje të madhe të palestinezëve përtej kufirit.