Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë mbrëmjen e sotme në një deklaratë për mediat mbi situatën në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, masat që duhen marrë dhe angazhimin e strukturave shtetërore dhe shoqërore për tejkalimin e saj me sa më pak pasoja.
Meta bëri thirrje për qetësi dhe profesionalizëm, ndërsa mbështet fuqimisht punën e stafeve mjekësore duke kërkuar më tepër investim dhe angazhim ndaj tyre.
Kreu i Shtetit tha se tejkalimi i situatës ka nevojë jo vetëm për kontributin e ekspertëve dhe autoriteteve, por të të gjithë shoqërisë, ndërsa apeloi për përgjegjshmëri dhe seriozitet.
“U bëj thirrje të gjitha institucioneve qëndrore e vendore të marrin masa për sigurimin e jetës së qytetarëve, sidomos të mjekëve dhe infermierëve. Duhet të jemi pranë çdo situate për kapërcimin sa më lehtë të kësaj gjendjeje të krijuar. Duhet një plan monitorimi shumë rigorioz dhe të detajuar, financim të plotë për përmbushjen e nevojave materiale, për personelin mjekësor, të forcave të sigurisë dhe gjithë atyre që angazhohen. Plan të menjëhershëm për përballimin e pasojave në ekonomi. Sot duhet të jemi të gjithë së bashku, me shpalosjen e një sensibiliteti ndërkombëtar për përballimin e situatës me qetësi dhe vendosmërinë e duhur. Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se nënvlerësimi i tij rrezikon jetën e gjithë të afërme, miqve, familjarëve të tij. Jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim që kësaj situate të vështirë të mos lejojmë të përshkallëzohet përkëqësimi i shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Jo vetëm stafet e spacialistëve të angazhuar, por jam i bindur edhe në angazhimin e çdo qytetari shqiptar”, tha ndër të tjera Meta.
(F.GJ/FAXWEB.AL)