Nga Luan Rama
Presidenti Macron, “armiku i jashtëm” i Edi Ramës!
Eshtë e ligë dhe fyese përpjekja e Edi Ramës për ta transferuar përgjegjësinë për mosçeljen e negociatave me BE-në nga vetja dhe qeveria e tij, tek Presidenti i Francës, a thua se punët e Shqipërisë shkojnë për mrekulli e nuk ka se për çfarë të reflektojmë e të ndjejmë përgjegjësi.
Presidenti Macron e ka shfaqur edhe më herët qëndrimin e tij ndaj zgjerimit të BE-së dhe standardeve që aplikohen në terësinë e këtij procesi, gjë që edhe Kryeministri Rama, edhe drejtuesit në ikje të BE-së e kanë ditur edhe kur rrekeshin të bindnin shqiptarët që të besonin gënjeshtrën e tyre se Shqipëria i kishte çelur negociatat; një herë në nëntor 2016 e më pas edhe në qershor 2018, ndaj nuk ka se përse të bëjnë të habiturin me konseguencën e qëndrimit të Presidentit të Francës.
Nëse zoti Macron nuk ka besim në raportet e burokratëve të Komisionit Europian, veçmas në vlerësimin e tyre për Shqipërinë, kjo nuk mund të shërbejë si alibi që Kryeministri i Shqipërisë t’i fshehë dështimet e tij dhe të qeverisë që kryeson, me atë që ai e quajti në mënyrë spekulative “përplasja e madhe mes Francës dhe Gjermanisë”.
Ndërkaq, nëse Kancelarja Merkel, referuar vendimit të parlamentit gjerman ishte për çeljen e negociatave me Shqipërinë, po për çelje jo dje e sot, dhe as nesër apo pasnesër, po për çelje pasi të plotësohen më parë nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania, dhe Presidenti Macron ishte për të mos i çelur, ketu nuk kemi të bëjmë as me përplasje dhe aq më pak me përplasje të madhe franko-gjermane.
Nuk kemi të bëjmë as me ndonjë komplot padrejtësie siç proklamojnë jo prej naivitetit shërbëtorët e përherehëm të pushtetit, por kemi të bëjmë në fakt me të njejtin qëndrim ndaj Shqipërisë, pavarësisht “PO-së” gjermane me kushte dhe “JO-së” francaze pa kushte, që në përmbajtjen e vlerësimit nuk kanë diferenca thelbësore.
Nëse duam ta lexojmë me realizëm qëndrimin gjerman, pra nëse duam t’i kuptojmë kushtet e vëna paraprakisht prej Bundestagut, do të gjejmë në e ndër to se cili është në fakt realiteti politik në Shqipëri, që bëri të kishim kundër jo vetëm Francën, por edhe vende si Holanda, Danimarka, Spanja etj. që bëhen edhe më shumë nëse do ti shkojmë më tej pastaj perqasjes së qëndrimit të tyre mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Nuk është e vërtetë që ka patur konsensus të gjerë gati unanim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. – tha pa asnje ekuivok Presidenti Macron. E me tej ai nënvizoi se: “Ndërkohë që për Maqedoninë pjesa më e madhe e vendeve ishte mbështetëse, për çeljen e negociatave për Shqipërinë ishte e kundërta. Shumica nuk mbështetën hapjen e negociatave me Shqipërinë. Duhen plotësuar kushtet”. Kështu tha në konferencën për shtyp Presidenti Macron.
Mjafton pra që dikush me sado pak aftësi intelekti për të kuptuar, ta lexojë qendrimin e sipërcituar, e do të vërejë se nuk është Franca, por qeveria shqiptare e me drejtpërdrejt kryeministri i saj që bllokoi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Realiteti shqiptar i dominuar nga konflikti politik dhe kriza e qeverisjes, nga kriza parlamentare dhe ajo e besimit ndaj institucioneve, nga korrupsioni e krimi qeverisës, e mbi të gjitha, nga krimi elektoral i vjedhjes së votave që deformon vullnetin e qytetarëve dhe imponon në konfigurimin parlamentar vullnetin e grupeve kriminale, janë në fakt arsyet se përse për të mbrojtur qëndrimin e tij kundër zgjerimit të BE-së pa bërë më parë reformimin e saj, e bënë Shqipërinë argumentin e parë e të pakundërshtueshëm të Presidentit Macron.
Por, meqë kryeministri i pari e pas tij edhe disa të tjerë si ai apo në shërbim të tij e kanë drejtuar gishtin për të na treguar se fajtor që Shqipëria dështoi në çeljen e negociatave me BE-në është Presidenti Macron ( sipas kutit të tyre të vlerësimit përse nuk janë fajtorë edhe kryeministrat e
Holandës dhe Danimarkës që gjithashtu mbajtën të njejtin qendrim me presidentin francez), po risjell në vëmendjen e lexuesit disa nga kushtet e parlamentit gjerman, që të gjithë të kuptojmë se jo fshehja pas apo justifikimi me “JO-në” franceze, por realizmi e përgjegjshmëria, refletimi e marrja përsipër e përgjegjësive është ajo që duhet të bëjë e gjithë klasa politike shqiptare, padyshim kryeministri i pari, si personi kryesor përgjegjës në krye të qeverisë.
Në rezolutën e votuar nga parlamenti gjerman theksohet:
Bundestagu i kërkon Qeverisë Federale që:
Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që:
a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.
– Të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.
E më tej, në të njejtin dokument përcaktohet se:
b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave përmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar;
– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;
– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve;
– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar;
– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar;
– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive;
– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor.
Pa cituar me tej rezolutën e parlamentit gjerman, cili është ai që ka sado pak mend në kokë që pasi ka lexuar kushtet e mësipërme mund të thotë se Gjermania ishte për çeljen e negociatave?!
Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, është edhe pa gjykatë të Lartë. Reforma zgjedhore është e bllokuar, e me qëndrimin arrogant që mban prej kohësh qeveria, nuk ka gjasë të nisë puna pa krijuar më parë kushtet për dialog politik transparent, të sinqertë e funksional.
Ndërsa për kushtin tjetër, atë që është artikuluar qartë e prerë si “Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve”, kush mund të thotë se është plotësuar?!
Apo edhe për këtë e ka fajin Presidenti i Francës?…
Po kushtin tjetër, atë që ka të bëjë me votimet farsë e të turpshme të 30 qershorit, përse e anashkalon kryeministri dhe maxhoranca e tij?!
Parlamenti gjerman kerkon hapjen e negociatava, përveç të tjerave, edhe pasi të ketë:
“Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”.
Pra, a ka ndonjë me sado pak mend në kokë që nuk e kupton se çfarë do të thotë “një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese?”.
Apo edhe për këtë argument e ka sërish fajin Presidenti Macron?!
Kushtet janë në fakt denoncim i një realiteti skandaloz, që ngado ta kthesh e sido që ta shikosh, nuk bën fajtor Presidentin Macron, por drejtpërdrejt Edi Ramën të parin e më shumë se gjithë të tjerët.
Fatalisht Shqipëria e humbi mundësinë.
Rekomandimi i nëntorit 2016, ishte për çeljen pa kushte! Edhe në vitin 2018 rekomandimi ishte i njejtë, çelje pa kushte!
Por qeveria shqiptare abuzoi, e shpërdoroi besimin dhe vullnetin e mirë mbi të cilin u dhanë rekomandimet pa kushte.
Ndërsa sot realiteti është tjetër; kushtet janë shtuar, vështirësitë gjithashtu.
Por, ndërsa kërkohet që kryeministri të mbajë përgjegjësi si shenjë e parë e reflektimit me seriozitet dhe në të mirë të të ardhmes europiane të vendit, ai na tregon se “armiku i jashtëm” është Presidenti i Francës! Kjo është një përpjekje e ligë dhe fyese. Eshtë paturpësi.
Me këtë qasje të papërgjegjshme dhe provokative, kryeministri shkon në kahje të kundërt me interesat e integrimit europian të Shqipërisë. Ndaj, për sa kohë Edi Rama do të jetë Kryeministër i Shqipërisë, çelja e negociatave do të mbetet përherë e largët!
Meqë Gjermania është sistemi ynë i referimit në aspiratën tonë kombëtare të integrimit europian, le të reflektojmë të gjithë mbi atë që na thotë Rezoluta e Bundestagut, votuar enkas për Shqipërinë me vullnetin e mirë për çeljen e negociatave:
“Shqipëria është në një krizë politike të brendëshme të rëndë. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”.