Është dekoruar sot nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Dekorimi i ish-diplomatit Amerikan të akredituar në Tiranë, bëhet në prag të festeve kombëtare të Shqipërisë.
Arvizu ka shërbyer në detyrën e Ambasadorit të SHBA në Shqipëri për një përiudhe 4-vjeçare, katër vite përpara se të merrte detyrën e lënë prej tij pasardhësi Donald Lu.
Në ceremoninë e zhvilluar në Ambjentet e Presidencës, kanë marrë pjesë figura të njohura në vend përfshirë përfaqësues të politikës, të sistemit të drejtësisë, ish-presidentë, përsonazhe të fushës së artit etj.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti Meta vlerëson ish-Ambasadorin e SHBA, Alexander A. Arvizu me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”
27 nëntor 2018
Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës SH.T Z. Ilir Meta vlerësoi sot z.Alexander A. Arvizu me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.
Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Titullin e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe gjatë mandatit të tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe në vijim si dhe për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit”.
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të trupit diplomatik të akredituar në Shqipërisë, ish-Presidentë, ministra e deputetë, politikanë, intelektualë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Fjala e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Ilir Meta në ceremoninë e vlerësimit me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, për ish-Ambasadorin e SHBA, Alexander A. Arvizu:
I dashur Ambasador Arvizu,
I nderuar Presidenti Nishani,
I nderuar Presidenti Topi,
E nderuar kryeparlamentarja Topalli,
Të nderuar ministra, përfaqësues të Kuvendit, të institucioneve, të shoqërisë civile.
E nderuar e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë.
Është kënaqësi e veçantë të organizoj sot këtë ceremoni dekorimi për një mik të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve, për Ambasadorin Aleksandër Arvizu.
SHBA-të kanë pasur dhe vazhdojnë te kenë një rol vendimtar dhe një rëndësi vitale në historinë e shtetit shqiptar që prej krijimit të tij, për çka Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës. Në këtë kontekst vendoset edhe kontributi i Ambasadorit Arvizu gjatë, por edhe pas shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri.
Ambasador Arvizu nuk ka nevojë për shumë prezantim, pasi secili prej jush e ka njohur dhe ka punuar me të gjatë viteve që ai përfaqësoi SHBA-të si Ambasador në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s deri në janar të 2015-s duke qenë dhe Ambasadori më jetëgjatë i SHBA-ve i cili ka shërbyer në vendin tonë.
Përpara se të emërohej Ambasador në Shqipëri, ai ka spikatur për një karrierë të pasur e të suksesshme, duke mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe përfaqësitë jashtë Shteteve të Bashkuara.
Gjatë veprimtarisë së tij diplomatike si Ambasador në Shqipëri ai dha një kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një moment i veçantë ishte vizita e Sekretares të Shtetit, Hillari Klinton dhe fjala e saj në Parlamentin Shqiptar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Po kështu Ambasador Arvizu ka një meritë të veçantë për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit si dhe për ndihmën efikase në përparimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, por edhe reformën në drejtësi.
Për reformën në drejtësi, që ka qenë kryefjala e viteve të fundit, do të theksoja në veçanti angazhimin e Tij jo shumë të dukshëm, por mjaft aktiv në detyrën e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e drejtësisë dhe të luftës kundër drogës.
Duke sugjeruar gjithmonë bashkëpunim dhe konsensus mes të gjitha palëve për realizimin e kësaj reforme madhore edhe gjatë dy vizitave të tij të kryera në Shqipëri.
Pa diskutim një kontribut i tij ka qenë ai i mbështetjes së vendit tonë edhe në kuadër të NATO-s.
Ambasador Arvizu ka gjithashtu meritë të veçantë në mbështetjen e shoqërisë civile në Shqipëri me nismën mjaft të njohur “Act Now” me qëllim për të bashkuar zërin e qytetareve për të drejtat e tyre. Ai arriti të bashkojë përfaqësues të mediave, të shoqërisë civile dhe intelektual të ndryshëm me synimin për të njohur publikun me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.
Ai nuk ishte një diplomat skematik, por realist duke përshtatur politikën e vendit të tij me realitetin dhe zhvillimet dinamike të Shqipërisë. Duke qenë bashkëpunues dhe përfshirës me të gjithë aktorët institucional dhe shoqëror në vendin tonë.
Ndërkohë, ai vazhdon të mbetet një promovues i shquar dhe plot pasion i SHBA-ve dhe kudo ku ka mundësi. Detyra e tij e re si anëtar nderi në organizatën prestigjioze “German Marshall Fund” do t’i japi atij mundësinë të vazhdojë punën e tij në mbështetje të demokracisë sonë ende të re.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kemi ndarë momente të vështira, por edhe të bukura me Ambasadorin, ndaj sot kam kënaqësinë të vlerësoj Ambasadorin me një dekoratë të veçantë, atë “Për Merita të Veçanta Civile”.
Sikurse ai vete thotë: “Të qenit në Shqipëri është një përvojë gati surreale, pasi edhe pse kam udhëtuar në shumë vende të botës, askund nuk kam gjetur njerëz të jenë kaq pro-amerikanë sa në Shqipëri dhe kur mendoj për shumë nga kolegët e mi që kanë shërbyer në vende të tjera, disa prej të cilëve kanë humbur jetën e tyre, jam i lumtur dhe i privilegjuar që kam qenë në Shqipëri”.
Dua ta siguroj Ambasadorin se edhe ne jemi të privilegjuar që vazhdojmë të kemi një mik si ai. Dhe këtë më mirë se fjalët e mia e tregon dhe kjo pjesëmarrje kaq e nderuar sot. Faleminderit Ambasadorit dhe të gjithëve që na kanë nderuar sot në këtë ceremoni”, – u shpreh Presidenti Meta.
Ish-Ambasadori i SHBA, Alexander A. Arvizu shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë e Tij për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë.