Pas përplasjes në distancë mes presidentit Meta dhe gazetarit Sokol Balla, duket se ky i fundit nuk e ka kapërdirë faktin që presidenti nuk i shkoi në emision.
Teksa kishte thënë se do e priste që prej orës 5 të mëngjesit të enjten e djeshme, Balla është detyruar që të ndërtojë një program pa Metën, ndërkohë që refuzimi i ishte bërë i ditur dhe nga zyra e shtypit të presidencës.
E megjithatë Balla në portalin e tij Real Story shkruan se ai kishte bërë gati dhe pyetjet për Metën, ndërsa si hakëmarrje ka transmetuar në nisje të emisionit një intervistë të shumë viteve më parë që presidenti ka dhënë për një television rus.
Në videon që transmetoi Balla, Meta shprehej mes të tjerave se ishte frymëzuar nga letërsia ruse.
“Unë jam rritur si shumë moshatarë me letërsinë sovjetike. Madje kam qenë shumë i ndikuar nga letërsia revolucionare. Mund t’ju rrecitoj Koshevojin e Fadejevit përshembull. Apo librat si “Nëna” dhe “Si u kalit çeliku”…”, dëgjohet të shprehet Meta në video.
“Kisha përgatitur disa pyetje për Presidentin që besoj kishin interes për opinionin publik, që lidhen me funksionimin e rolit të Presidentit gjatë kësaj krize dhe asnjë pyetje me sfond personal. Gjithsesi për një nga pyetjet, e kam gjetur përgjigjen nga vetë Meta, në një intervistë dhënë për një televizion rus. Këtë pyetje dhe përgjigjen do t’i transmetoj sot në fillim të programit”, deklaroi dje Balla, që duket se e ka marrë shumë personale betejën me ish-mikun e tij, sot president, Ilir Meta.
Ishte presidenti ai që deklaroi se Sokol Balla kishte konflikt interesi me pyetjet ndaj tij, pasi nëna e fëmijëve të tij, Belinda Balluku është pjesë e qeverisë së Edi Ramës. (Lexo edhe këtu)
(E.K/Faxweb.al)