Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar sot dekretin për zgjedhjet e reja lokale, që sipas tij do të jenë në 13 Tetor.
“Dua tiu njoh me dekretin për datën e re të zgjedhjeve që është 13 Tetori”, u shpreh Meta.
Kreu i Shtetit tha se vendimi i tij synon që Shqipëria më në fund të marrë ok-in për çeljen e negociatave me BE-në dhe të mos shkëputet në këtë proces nga Maqedonia.
‘’Partitë duhet të heqin dorë nga axhendat personale, dhe duhet të punojnë për Integrimin e vendit. Kjo datë garanton që të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse”, tha Meta në fjalën e tij.
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë ‘’ok-in” e Bashës se do të bëhet pjesë e zgjedhjeve në 13 Tetor, Meta tha se ai nuk detyron askënd që të marrë pjesë në zgjedhje.
“Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, por jam këtu për të evtituar çdo konflikt civil apo institucional”, u shpreh Meta.
Mundësinë se Meta do të dekretojë sot një datë të re për zgjedhjet, e artikuloi sot pas takimit në presidencë Dashamir Shehi. Kreu i shtetit pati sot takime intensive me drejtues të partive opozitare, si dhe me disa prej ambasadorëve të akredituar në vendin tonë.
Takimet e Metës nisën në orën 09:00 të mëngjesit me kryedemokratin Basha dhe vijuan përgjatë gjithë ditës, i vetmi që refuzoi të shkonte në zyrën e tij ishte kreu i qeverisë Rama. Përmes një Twitteri ai tha se sot zyra e presidencës ishte shndërruar në një seli të opozitës.