Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpreh shqetësimin e tij për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit.
Sipas kreut të shtetit, krimi i organizuar do të tentojë të influencojë në zgjedhje përmes shit/blerjes së votave.
“Viti i ardhshëm është një vit zgjedhor. Standardet e zgjedhjeve të ardhshme janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne. Por më duhet të them edhe shqetësimin tim pasi evidenca serioze tregojnë se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I bëj thirrje partive politike, lidershipit që me përgjegjësinë që ka të adresojë me shumë kujdes këtë sfidë. Krimi nuk ka ngjyrim, ai është vetëm i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo”, deklaroi Presidenti gjatë pritjes së përvitshme me mediat.
Nishani i kërkoi këtyre të fundit që të denoncojnë rastet kur krimi i organizuar do të tentojë të ndikojë në zgjedhje.
“Është përgjegjësi e madhe e aktorëve politikë në radhë të parë, por edhe aktorëve të tjerë, media ta monitorojë me kujdes çdo rast që bota e krimit do tentojë të influencojë. Le të dalim nga retorika, të shkojmë drejt realitetit”, u shpreh Nishani.
Gjatë pritjes me përfaqësuesit e mediave, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi rolin e tyre dhe rëndësinë që kanë si pushteti i katërt. (A.R/SHUPLAKA)