Presidenti i vendit Ilir Meta përmes një video të vjetër të kryeministrit Edi Rama, rikthen në vëmendje se ai është pro mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe qendrës historike të Tiranës.
Në videon e postuar nga presidenti, Rama asokohe ministër i Kulturës shprehej se ishte në vullnetin e qeverisë së drejtuar nga Meta që qendra historike e Tiranës të mos prekej.
Meta shton se gjatë ditës së djeshme ai i ka dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilës i shpreh mbështetjen e plotë për kauzën e tyre.
Postimi i Metës:
Të dashur miq!
Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh.
Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzakonshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja.
(E.K/Faxweb.al)