Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën, duke njoftuar veprime të shumta ekzekutive për çështjet kryesore si emigracioni dhe energjetika. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell Presidenti Trump, në fjalimin e tij të parë si President, premtoi gjithashtu se do të zgjerojë territorin e Shteteve të Bashkuara, siç tha ai, deri në Mars.
Në ditën e parë të mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump shpalosi vizionin për një Amerikë më të guximshme dhe më të madhe.
“Shtetet e Bashkuara do të bëhen sërish një komb që rrit pasurinë, zgjeron territorin, ndërton qytete, rrit pritshmëritë tona dhe mbart flamurin tonë në horizonte të reja dhe të bukura. Ne do të ndjekim fatin tonë deri në hapësirë, duke dërguar astronautët amerikanë për të vendosur flamurin tonë në planetin Mars”, tha Presidenti Trump.
Më pas ai filloi punën duke nënshkruar një mori urdhrash ekzekutivë. Ai tha se ato përfshijnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor, gjë që mundëson dërgimin e trupave në kufi dhe shpalljen e energjetikës si urgjencë kombëtare. Kjo mundëson rritjen e shpimeve në tokë për të nxjerrë më shumë naftë. Ai gjithashtu deklaroi se ka vetëm dy gjini, mashkull ose femër, dhe tha se do të urdhëronte që Gjiri i Meksikës të riemërohej si Gjiri i Amerikës.
Historianët thonë se Presidenti Trump përdori fjalimin që tradicionalisht ka qëllim të bashkojë vendin për të portretizuar një të ardhme me të cilën shumë amerikanë mund të mos pajtohen.
“Fjalimi ishte më pak një fjalim inaugurues dhe më shumë një fjalim që mbahet në Kongres për gjendjen në vend. Ai renditi një sërë idesh e projektesh, nga deportimi i emigrantëve, deri te rimarrja e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë. Fjalimi ishte një përzierje e zemërimit, gënjeshtrave dhe termave bullizues. Kjo nuk është diçka që kemi dëgjuar më parë nga fjalimet inauguruese”, thotë për Zërin e Amerikës profesor Jeremi Suri nga Universiteti i Teksasit në Austin.
Mijëra mbështetës të Presidentit Trump erdhën në Uashington nga i gjithë vendi duke thënë se politikat e tij kanë rëndësi për ta.
“Ai po rikthen gjykimin e shëndoshë në vend. Shumë njerëz mendojnë se ne jemi shumica e heshtur dhe kjo do të na japë mundësinë të flasim me zë të lartë dhe të mos kemi frikë të themi të vërtetën dhe të flasim me logjikë të shëndoshë”, thotë Melanie Voll, banore Cleveland.
Menjëherë pas inaugurimit, Presidenti Trump foli me një grup më të vogël mbështetësish në Kapitol dhe përsëriti pretendimet se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “plotësisht të manipuluara”, një pretendim për të cilin nuk ka prova.
“Mendoj se ky ishte një fjalim më i mirë se sa ai që mbajta më parë, apo jo? Unë mendoj se ky është më i mirë”, tha Presidenti Trump.
Disa nga mbështetësit e fuqishëm të Presidentit Trump shprehën gëzimin e tyre.
“Kështu duket një fitore e vërtetë”, tha miliarderi Elon Musk.
Zoti Musk ishte njëri nga miliarderët që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Organizatat që merren me mbrojtjen e konsumatorëve po japin alarmin për disa nga lëvizjet më të heshtura të presidentit të ri, që synojnë të zbusin disa rregullore. Ata thonë se nga këto vendime do të përfitojnë kompanitë e miliarderëve.
“Administrata e ardhshme e Trumpit dëshiron të pezullojë një sërë rregullash dhe të heqë një sërë masash mbrojtëse për publikun, me kërkesë të atyre që janë më të pasurit mes nesh, për shkak të interesave të veçanta të korporatave. Ata përfitojnë kur ne nuk kemi masa mbrojtëse”, thotë Lisa Gilbert, presidente e organizatës joqeveritare ‘Public Citizen’.
Historianët dhe analistët thonë se nuk është e qartë se sa nga veprimet e ditës së parë të Presidentit Trump, të cilat zyrtarët thonë se janë mbi 100, do të funksionojnë kur të sfidohen ligjërisht. Për këtë përgjigje, thonë ata, duhet pritur.