Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit dhe shkarkimit të ambasadorëve politikë me dekret të presidentes, është duke udhëhequr Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Por kjo pozitë që ka Sadriu siç duket nuk po u pëlqen të gjithëve. Sadriu së fundmi është kanosur nga një kolegu i tiji ndërkohë që ishte në vendin e punës, kanë raportuar mediat kosovare.
Gjatë së martës, teksa ishte duke punuar në zyrën e tij në ambasadën e përmendur më sipër, Sadriu në zyrë i futet njëri nga kolegët i cili së fundmi me dekret të presidents Osmani është liruar nga detyra. kolegu i shkarkuar, kërkon sqarime nga burri i presidents Osmani rreth arsyes së shkarkimit të tij.
Sipas mediave kosovare, gjatë bisedës i dyshuari kishte kanosur ankuesin (Prindon Sadriun) duke i thënë se nuk interesohet nëse dy familjet do të jenë në konflikt ose në gjak dhe duke thënë se dikush do të japë llogari për këtë çështje.
Pas kësaj bisede, në orët e pasditës së datës 9 qershor, Prindon Sadriu e raporton rastin në policinë e Kosovës. Vepra është duke u cilësuar si “Kanosje”, thonë mediat kosovare.
Muajin e kaluar, me anë të dekreteve, Presidentja Osmani ka shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë me arsyetimin se janë të emëruar politikisht.
Përsa i përket Prindon Sadriut, ai është diplomat me karrierë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai është emëruar në pozitën e zëvendës-shefit të misionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2019, i cili mbanë gradën e ministrit në shërbimin diplomatik të Kosovës.