Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë të Kongresit amerikan në Shtetet e Bashkuara, me të cilët ka thënë se po diskuton për rëndësinë e mbështetjes amerikane në shumë sektorë të vendit që udhëheq.
Përmes disa postimeve në Facebook, Osmani ka thënë se është takuar me senatorët republikanë: Ted Cruz, Joni Ernst dhe Thom Tillis, si dhe kongresistët, Gary Palmer, Pete Sessions dhe Mike Lawler.
“Bashkëpunimi dhe komunikimi i rregullt janë kyç për veprim të duhur në kohë të duhur. Kosova dhe SHBA-të, kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj kjo edhe është një nga objektivat kryesor në rrugëtimin përpara”, ka thënë Osmani pas përfundimit të njërit prej takimeve.
Ajo ka thënë se ka diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, me qëllim të parandalimit të përpjekjeve të aktorëve të dëmshëm për më shumë “kaos dhe jostabilitet”.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në urën kryesore të Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë. Fotografi nga arkivi.
Kush janë aktorët e huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës?
Vizita e Osmanit në SHBA është duke u realizuar disa javë para inaguruimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, i ka thënë javë më parë Radios Evropa e Lirë se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme dhe se përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës është e bindur se do të vazhdojë.
Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Kosovën, Prishtinë 22 nëntor 2024. SHBA-ja ka ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998, dhe mbështetja e saj ka qenë vendimtare, përfshirë rrugën drejt pavarësisë.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike. Një burrë duke ecur mbrapa mbishkrimit “Faleminderit NATO” dhe “Faleminderit SHBA”, si dhe flamurit amerikan në Stagovë, vendbanim në Kaçanik, Kosovë.
Çfarë do të thotë për Kosovën mbështetja e SHBA-së?
Megjithatë, në disa raste, viteve të fundit, raportet e Uashingtonit me Qeverinë e Kosovës janë tendosur, ndonëse zyrtarë qeveritarë kanë përsëritur vazhdimisht se koordinohen dhe kanë bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në./rel