Policia e Vlorës ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lungomare, ku lokalet e vendosura përgjatë zonës, refuzuan që të mbyllnin muzikën në orën 22:00 të mbrëmjes.
Policia ka gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra një prej bizneseve, dhe ka proceduar tre persona që sipas bluve kanë kundërshtuar efektivët gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Njoftimi i policisë:
U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të lejuar dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë dhe procedohet penalisht, administratori i subjektit.
Procedohen penalisht dhe 2 shtetas të tjerë që kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:
K. Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;
S. Xh., banues në Tiranë, pasi pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës; E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.
(E.K/Faxweb.al)