Publikimi i historisë së Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar që mbahet në kampet e ISIS në Siri ka tronditur mbarë opinionin publik, jo vetëm në vendin tonë por edhe në Italinë fqinje.
Ekipi i Le Iene kishte bërë një punë voluminoze për të bërë të mundur gjetjen e 11-vjeçarit, shpëtimi i të cilit mbahet peng nga shteti shqiptar, që nuk çon një përfaqësues të ambasadës shqiptare për të garantuar lirimin e tij nga burgjet e ISIS, që mbahen nën monitorimin e Turqisë.
Mirëpo për momentin lajmi ne Le Iene është fshirë për shkak të një defekti teknik, që lidhej me publikimin e fytyrave të fëmijëve, duke shkelur në këtë mënyrë të drejtat e tyre.
Faxweb.al ka kontaktuar me gazetarët e Le Iene, të cilët kanë sqaruar se bëhet fjalë vetëm për diçka teknike dhe video bashkë me lajmin do të ripublikohen shumë shpejt.
“Çështje teknike. Avokatët kanë kerkuar të mbulohen fytyrat e disa personave. Do vendoset prapë pasi ta sistemojnë”, janë shprehur gazetarët, ndërsa kanë shtuar: Është ofendues ky aludim që po bëjnë pas gjithë asaj pune që kemi bërë.
Për të vërtetuar edhe më shumë fjalët e gazetarëve italianë shihet se në faqen e Facebook lajmi nuk është hequr, ndërsa në web qendron një video më e shkurtër tek e cila janë retushuar fytyrat e fëmijëve të mitur. (KLIKONI KËTU)
Historia e trishte e Alvinit:
Historia e 11-vjeçarit Alvin Berisha, i cili mbahet prej 5 vitesh në kampet e ISIS-it është rënqethëse dhe kalon kufijtë e imagjinatës. 6-vjeçari u mor nga e ëma e tij, një praktikante myslimane dhe u larguan drejt Sirisë, për t’u bërë pjesë e ISIS, duke braktisur pjesën tjetër të familjes në Itali.
Vite më vonë e ëma do të vdiste, pas një shpërthimi dhe pas kësaj vogëlushit i duhet që të përballojë i vetëm realitetin mizor që ofron Siria, me luftime të ashpra nga të gjitha anët. Pas përpjekjeve të të atit të tij dhe emisionit italian Le Iene vogëlushi u gjet në një kamp të burgosurisht në pjesën kurde të Sirisë ku jetonin fëmijët dhe gratë e luftëtarëve të ISIS, por që fatkeqësisht nuk mund të shpëtohej prej aty.
Shkak për këtë është bërë mungesa e një përfaqësuesi të ambasadës shqiptare në Siri, që të mund të firmoste garancinë për largimin e tij. Përpjekjet e babait Afrim Berisha, morën fund në momentin që ambasadori shqiptar në Turqi Gent Gazheli iu mbylli telefonin gazetarëve italianë, duke thënë se nuk mund të bënte asgjë për ta, pavarësisht se në fillim i kishte garantuar ndihmën.
Pas 5 vitesh pa e parë, Afrimi u detyrua që ta linte sërish të birin e tij në mes të luftës, pasi shteti shqiptar nuk bëri asgjë për të ndihmuar qytetarët e tij.
(E.K/Faxweb.al)