Dy kushërinj përkatësisht Emiljan (Meridjan) Hoxha 29 vjeç dhe Dervish Hoxha 23 vjeç u arrestuan nga policia e Peqinit një natë më parë, pasi dyshohet se kanë grabitur një banesë në fshatin Kodras Peqin.
Policia ka dyshime se dy të rinjtë kanë grabitur banesën e Zija Hoxha , duke i marrë këtij të fundit 24 milionë lekë të vjetra që ndodheshin në katin e dytë të banesës, ndërkohë që kati i parë shërbente si lokal.
Të rinjtë ishin klient të rregullt të lokalit, ç’ka ka bërë që i zoti të ketë dyshime të forta. Megjithëse policia ka sekuestruar pamjet e lokalit, imazhet nuk janë të qarta. Nëpërmjet tyre duken dy persona që largohen me shpejtësi por, është e vështirë të dallohet nëse bëhet fjalë për dy kushërinjtë e arrestuar Hoxha.
Prindrit e Emiljan Hoxhës shprehen se djali i tyre nuk është përgjegjës, pasi sqarojnë se ka qënë në shtëpi kur ka ndodhur grabitja. Prindërit kërkojnë hetim të saktë të ngjarjes dhe nëse djali i tyre do të jetë fajtor, ata janë të parët që do të kërkojnë dënimin maksimal të tij.
Materialet për këtë çështje i kanë kaluar Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprën “Vjedhja”.