Konfirmohet vdekja e dy motrave binjake të cilat u shpallën të humbura, por që rezultojnë të jenë mes viktimave të zjarrit masiv që pushtoi rajonin e Atikës.
Ndonëse familjarët e 9-vjeçareve, Sophia dhe Vasiliki Philipopoulou, kishin shpresa se ato ende ishin gjallë, fatkeqësisht rezultoi e kundërta.
Siç raportojnë mediat greke vogëlushet janë gjetur të djegura në krahët e dy gjyshërve të tyre në Matin, fshati tashmë fantazmë.
“Zougla.gr” shkruan se ky fakt është bërë me dije edhe nga hetuesi privat i familjes, Yorgos Tsoukalis. Ndërkohë që lajmi u konfirmua mbrëmjen e djeshme (e premte), dhe nga një prej miqtë e familjes, për mediat greke.
“Epilogu i shkruar. Të katër u gjetën të përqafuar. As vdekja nuk mundi t’i ndajë ata”, shkruan Giorgos Tsoukalis në rrjetet sociale.
Prindërit e dy binjakeve fillimisht i kërkonin me ngulm në televizor, e madje, akuzuan një tjetër familje se ua kishte marrë, teksa panë imazhet e tyre në një regjistrim filmik.
Ditën e djeshme dy prindërit janë njoftuar nga autoritetet që t’i nënshtroheshin një testi të ADN-së, ndërsa iu kërkuan edhe lodra e sende personale të vajzave. Pas disa orëve ankthi, lajmi i kobshëm erdhi; vajzat ishin djegur gjatë zjarrit apokaliptik të 23 korrikut, në krahët e gjyshes dhe gjyshit.
(M.Q/Faxweb)